Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive politike që të kenë në rend të parë interesin e vendit dhe të arrihet marrëveshje për formimin e institucioneve.
Ajo këtë thirrje e ka bërë në një intervistë të dhënë për televizionin polak “TVP World”
“E shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje sërish të gjitha partive politike që ta vendosin interesin e vendit para, e t’i lënë anash dallimet. Të tentojnë të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare e cila e dërgon Kosovën para”, ka thënë Osmani.
Osmani, ka folur edhe për sfidat e Kosovës dhe tendencat për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
“Shpeshherë them se kur shohim forca të liga si Rusia, Kina dhe Irani, këtë trekëndësh të së keqes që përpiqet të ndikojë në Ballkanin Perëndimor, ata nuk e bëjnë për bamirësi, por sepse kanë një lloj interesi strategjik”, ka thënë ajo.
Sipas saj, për Kosovën, problemi më i madh është Serbia. Duke cituar Misionin e Vëzhgimit Evropian, ajo ka thënë se është provuar që Serbia, “me ndihmën dhe mbështetjen e Rusisë”, ka ndërhyrë në zgjedhjet më të fundit parlamentare në Kosovë.
“Sfida jonë më e madhe, siç thashë, është fakti që Serbia vazhdon t’i shohë shtetet fqinje si shtete të përkohshme”, ka deklaruar presidentja, duke krahasuar këtë perspektivë me “mentalitetin imperialist dhe hegjemonist që ka Rusia”, ka thënë Osmani.
Presidentja po merr pjesë në Forumit Evropian në Alpbach.