Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po vepron si dorë e zgjatur e përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, por nuk e përsëriti deklaratën e mëparshme për rolin e pretenduar të presidentit amerikan, Donald Trump, në parandalimin e një përshkallëzimi të situatës nga Serbia në Kosovë.
Duke folur të martën në Rigë të Letonisë, përkrah presidentit letonez, Edgars Rinkēvičs, Osmani e hodhi poshtë nocionin e “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur situatën si agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga tjetra.
“Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se cili është roli i Rusisë në tensionet dhe përshkallëzimet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht”, tha Osmani.
“Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar, madje as edhe një centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sakrificë”, tha presidentja e Kosovës.
Ditëve të fundit, ajo foli në disa raste për përshkallëzimin e mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
Gjatë një ligjërate në Uashington më 10 korrik, Osmani tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
Ajo tha se ka “informacione të besueshme” se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.h
The post Osmani: Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë Kosovën appeared first on Kosovapost.net.