Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk e përkrahu kandidaturën e saj për presidente, edhe pse sipas saj ekzistonte mundësia që të siguroheshin votat e nevojshme në Kuvend.
Në një intervistë në Syri TV me gazetarin Çim Peka, Osmani tha se kishte punuar edhe me opozitën për të siguruar votat për zgjedhjen e presidentit.
“Sa më shumë që unë punoja me opozitën dhe siguroheshim që votat vërtet do të jenë aty, ju e dini se këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili ka thënë se nuk ka pasur qëndrim refuzues ndaj emrit tim. Kur u qartësua që ka shanse që unë të zgjidhem, nga kryeministri Kurti më erdhi një vlerësim i ri, që Grupi Parlamentar i Lëvizja Vetëvendosje dhe ai personalisht nuk e përkrahin kandidaturën time”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ia kishte bërë të qartë kryeministrit se nuk është e lidhur me këtë pozitë, por sipas saj situata politike dhe momentumi ndërkombëtar kërkonin stabilitet institucional.
“Siç ia kam bërë të qartë atij, unë nuk jam e lidhur me këtë pozitë, por është në dëm të interesit të shtetit tonë për shkak të momentumit që na u hap me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Osmani.
Presidentja tha se pas zgjedhjeve ishte përmendur se ekzistonin rreth 57 vota dhe se mund të kishte vështirësi me opozitën, por sipas saj, përmes diskutimeve me deputetë të opozitës dhe të komuniteteve joshumicë mund të siguroheshin deri në 80 vota.
“Kam diskutuar individualisht me deputetë të LDK-së dhe partive të komuniteteve joshumicë dhe kemi ardhur në përfundimin se 80 vota do të bëheshin pa asnjë problem. Sikur unë të propozoja si kandidatja e vetme e LVV-së dhe të kishim një kandidat tjetër formal, jam e bindur që sot do ta kishim presidenten dhe Qeverinë Kurti”, tha Osmani.










