Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se koncerti i Armend Rexhepagiqit, “Dashni e Vjetër” ka qenë udhëtim ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë muzikore.
“Armend Rexhepagiqi, me zërin e tij që sfidon kohën dhe një shpirt artistik që rrëmben zemrat e shumë gjeneratave, na çoi në një udhëtim të paharrueshëm ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja”, ka shkruar Osmani.
Presidentja më tutje ka thënë se ky koncert bëri bashkë emocionin, kujtimin dhe dashurinë për muzikën.
Armend Rexhepagiqi dje shënoi rikthimin e tij me koncert solistik pas shumë vitesh. Në skenën e Pallatit të Rinisë, kantautori i njohur elektrizoi skenën duke promovuar albumin e tij të ri, “Dashni e Vjetër”. Ai i dha zë edhe këngëve të tij të krijuara ndër vite, të cilat u kënduan një zëri nga publiku i pranishëm. Ajo që u dallua në këtë mbrëmje muzikore qe laramania e moshës së fansave të këngëtarit.
Radiotelevizioni i Kosovës është sponsori medial i koncertit të Armend Rexhepagiqit dhe do ta transmetojë së shpejti si të plotë.
The post Osmani: Rexhepagiqi me zërin e tij sfidon kohën, rrëmben shumë gjenerata appeared first on Kosovapost.net.