Presidentja Vjosa Osmani, gjatë ditës së premte ka pritur në takim deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers dhe Paul Foster, njëherësh përfaqësues të grupeve të miqësisë me Kosovën në parlamentin britanik.
Gjatë takimit, sipas një njoftimi nga ana e Presidencës, u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për mënyrat konkrete të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërshtetëror, sidomos në partneritetin ekonomik dhe të mbrojtjes, forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe avancimit të objektivave euroatlantike të vendit, transmeton Klan Kosova.
Osmani thuhet se i falënderoi deputetët Vickers dhe Foster për angazhimin e tyre të palëkundur në mbështetje të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy vendeve.
“Deputeti Martin Vickers, i cili është Kryetar i Grupit Ndërpartiak për Kosovën dhe Shqipërinë (All-Party Parliamentary Group for Kosovo and Albania), dhe deputeti Paul Foster, Nënkryetar Ekzekutiv i “Labour Friends of Kosovo”, riafirmuan mbështetjen e tyre të fuqishme për popullin dhe shtetin e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
The post Osmani priti në takim deputetët britanikë, rikonfirmohet mbështetja për Kosovën appeared first on Kosovapost.net.