Osmani pritet nga Rubio: Me SHBA-në e kemi të ardhmen e sigurt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar forcimin e aleancës strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 18-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Osmani njoftoi se është pritur në Departamenti Amerikan i Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe hapat konkretë me rëndësi jetike për Kosovën.

“Me SHBA-të jemi të bashkuar në vendosmërinë për të mbrojtur paqen dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj,” ka shkruar Osmani.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit falënderoi palën amerikane për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare për sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për praninë ushtarake amerikane në Kosovë. “E falënderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane si prezencë kyçe për paqen dhe stabilitetin në rajon,” theksoi ajo.

Presidentja Osmani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në ekonomi dhe mbrojtje. “Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik,” shtoi ajo.

Në përmbyllje, Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës përkrah SHBA-ve drejt forcimit të paqes dhe sigurisë globale dhe avancimit të integrimit euroatlantik. “Krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës,” përfundoi presidentja.