Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, ka deklaruar për Front Online se mbyllja e shkollave lidhet kryesisht me numrin e vogël të nxënësve, si pasojë e rënies së natalitetit, por edhe faktorë të tjerë si migrimi dhe kriza ekonomike.
“Faktor kryesor është numri i vogël i nxënësve dhe kjo vjen si pasojë e zvogëlimit të natalitetit, por jo vetëm për këtë shkak, kemi edhe faktorë tjerë siç janë migrimi, kriza ekonomike”, tha ai.
Osmani shtoi se prej vitit 2021 e deri tani rreth 200 mijë banorë, kanë migruar për një të ardhme më të mirë dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë në të njëjtin ritëm.
“Prej vitit 2021 deri tash janë diku 200 mijë banorë që e kanë lëshuar vendin dhe kjo është pjesa më vitale e popullsisë, domethënë të rinj dhe të reja, por edhe fëmijë, familjarë që migrojnë për një të ardhme më të mirë dhe ka tendencë që të vazhdojë në të njëjtin ritëm”, tha Osmani.
Ai tha se pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha, pasi humbet kapitali njerëzor, që është thelbësor për zhvillimin e vendit dhe arritjen e një niveli të lartë të zhvillimit.
“Pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha për shkak se humbet kapitali i rëndësishëm që është kapitali njerëzor, një shtet nuk mundet me pretendu që do të arrijë nivel të lartë të zhvillimit pa pasur burime të mjaftueshme njerëzore që do të kontribuojnë në zhvillimin e atij vendi”, shtoi ai.
Osmani tha se mbyllja e shkollave do të sjellë humbje të vendeve të punës për mësimdhënësit dhe zbrazje të heshtur të vendit, një problem për të cilin deri tani qeveritë nuk kanë pasur strategji efektive për ta zvogëluar apo luftuar.
“Pasoja për shkolla do të ketë humbja e vendeve të punës drejtpërdrejt për mësimdhënësit, zbrazja e heshtur e vendit për të cilën fatkeqësisht deri tani qeveritë nuk kanë pasur ndonjë strategji që ta zvogëlojnë apo ta luftojnë në tërësi”, tha ai.
Ai theksoi se nevojitet një intervenim gjithëpërfshirës dhe multidimensional për të përmirësuar mirëqenien e popullsisë dhe për t’u siguruar që fondet publike të shërbejnë për përmirësimin e sektorit publik.
“Duhet një intervenim gjithëpërfshirës multidimensional të rritet dhe të përmirësohet mirëqenia e popullsisë, të ndalet korrupsioni, hajnia dhe fondet publike të shërbejnë për të përmirësuar gjendjen në sektorin publik”, përfundoi ai.










