Osmani për vrasjen e trefishtë: Për keqardhje që autorët ishin lënë të lirë vitin e kaluar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar për vrasjen e trefishtë që ndodhi sot në qendër të Gjilanit.

Osmani kërkoi nga organet kompetente që autorët e këtij krimi të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore.

“Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, tha Osmani.

Tutje, ajo komentoi edhe fotografinë që i dyshuari për vrasjen, Mefail Shkodra, e ka me presidenten Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike”.

“Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje, presidenca tha se brenda vitit, Osmani del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitet publike, të cilët nuk i njeh dhe s’mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre.

“Prandaj, aludimet për kinse ‘shoqërim’ janë asgjë tjetër pos shpifje. Presidentja i bën sërish thirrje organeve të rendit dhe atyre të drejtësisë që të veprojnë sipas ligjit, në mënyrë që vrasësi të marrë dënimin e merituar”, thuhet në reagim.