Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Poloni, në një intervistë për televizionin polak “TVP World” u ka bërë thirrje partive politike që t’i lënë dallimet anash dhe ta vendosin interesin e vendit para. Ajo ka kërkuar krijimin e një koalicioni të shumicës për të mos humbur siç ka thënë projektet Bashkimit Evropian dhe mundësitë me administratën e re të SHBA-së. Osmani ka folur për afrimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat politike që e pengojnë këtë proces.
Duke folur për rrugën integruese të Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s, Vjosa Osmani ka thënë se ndonjëherë krijohet përshtypja sikur kriteret dhe vlerat nuk kanë rëndësi për disa vende anëtare të BE-se, duke përmendur Serbinë e cila pavarësisht se është vetëm 40 për qind në linjë me BE-në, pavarësisht se nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, apo s’ka dëgjuar këshillat e tjera të BE-së, vazhdojnë të ecin përpara drejt anëtarësimit në BE, ndërkohë Kosova ende nuk e ka marrë as statusin e vendit kandidat.
Ajo mes tjerash ka theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj BE-së dhe NATO-s, ndikimin destabilizues të Rusisë dhe faktorëve të tjerë “malinj” në Ballkanin Perëndimor. “Nuk kemi ndaluar asnjëherë së bëri detyrat tona të shtëpisë, qofshin ato reformat ekonomike, rendi e ligji apo reformat për ta bërë sistemin tonë e demokracinë tonë më të fortë”, ka thënë Presidentja.
Intervista e plotë:
Gazetarja: Mirë se vini në Forumin Evropian Alpbach dhe ju po shikoni TVP World. Është absolutisht kënaqësi të mirëpres në studion tonë këtu në Austri, presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani. Faleminderit shumë që jeni me ne.
Osmani: Faleminderit për ftesën është kënaqësi për mua.
Gazetarja: Kënaqësi që ju kemi në TVP World. Kosova ka bërë disa përpjekje kur është çështja tek sistemi elektoral, qëndrueshmëria ekonomike e në mbrojtjen e të drejtave themelore, e këto janë fjalë të thëna nga anëtarë të Parlamentit Evropian, që janë sinjal i rëndësishëm, por që megjithatë, ka ende disa sfida kur është fjala për Kosovën siç janë reformat në sistemin e drejtësisë, liria e medies, efikasiteti në sistemin publik administrativ. E gjithashtu kemi prezencë të vazhdueshme të tensioneve midis Kosovës e Serbisë. Këto janë disa nga çështjet për të cilat dëshiroj të bisedojmë. Kështu që afërsisht çfarë mund të thoni se sa afër apo larg është ndoshta Kosova, drejt Bashkimit Evropian. E di që ju jeni një avokuese e përafrimit të Kosovës, por cili është opinion juaj?
Osmani: Është pyetje e vështirë për të dhënë përgjigje në aspektin kohor të viteve. Por atë që mund të them sa i përket pritjes sonë, shpirtit tonë evropian e dëshirës sonë politike, e dëshirën e popullit tonë për t’iu bashkuar BE-së, jemi 97 për qind gati ose ndoshta 100 për qind sepse ne jemi një shtet që jemi plotësisht në të njëjtën vijë me BE-në. 97 për qind e popullit të Kosovës janë pro BE-së, pro anëtarësimit në BE e në NATO. Sa i përket reformave, qofshin ato në sundimin e ligjit, reformën ekonomike, reformën në të drejtat themelore njerëzore, në Ballkanin Perëndimor jemi shteti që qëndrojmë më së miri. Pra kur jemi tek vlerat, jemi deri diku afër. Por kur vjen puna tek politika e procedurat e vështira, jemi ende goxha larg sepse ju e dini që pesë vende të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kjo është një vështirësi. Por pastaj ka edhe pengesa të tjera. Pavarësisht se Kosova është plotësisht e qartë, dhe pavarësisht se Kosova si shtet e shikon BE-në si sistem të bazës së vlerave, fatkeqësisht këto duket se nuk kanë arritur t’ia tërheqin vëmendjen e shumë vendeve anëtare dhe pastaj kjo duket tek nëse se edhe pse je në linjë me politikat e BE-së, vendos sanksione kundër Rusisë, sanksione kundër Iranit, apo veprime të tjera të cilat vërtetë të largojnë nga zona e rehatisë, por qëndron në atë çfarë është e drejtë, këto nuk kanë qenë të rëndësishme për BE-në. Sepse nëse e shikon se si rajoni ynë ka përparuar, Serbia si fqinji ynë, pavarësisht se është vetëm 40 për qind në linjë me BE-në, pavarësisht se nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, apo s’ka dëgjuar këshillat e tjera të BE-së, vazhdojnë të ecin përpara drejt anëtarësimit në BE. Kjo pastaj të jep ndjenjën se kriteret dhe vlerat nuk kanë vërtetë rëndësi, së paku për disa vende anëtare. Por ne po përpiqemi që t’i bindim ato e kjo nuk do të thotë se durimi ynë do të zbehët, përkundrazi, ne po punojmë në këtë sepse është proces. Është goxha një proces i gjatë dhe sigurisht se ka shumë njerëz që janë të frustruar. Por për ne nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër përveç BE-së. Ne nuk flirtojmë me fuqi të tjera. Ne nuk ngatërrohemi me fuqi malinje dhe është e kundërta për ne, ku i vetmi shteg është BE-ja dhe NATO dhe do të punojmë shumë fort për aq sa na kërkohet për të zënë vendin tonë të duhur në këto dy organizata. Për me e rëndësishmja është se këto janë baza të sistemit të vlerave dhe kjo është arsyeja përse duam t’i bashkohemi.
Gazetarja; E thatë një fjali shumë interesante se nuk flirtoni me fuqi të tjera. Çfarë do të thoshit lidhur me ndërtimin e marrëdhënies në raport me Rusinë, veçanërisht tani kur shohim luftën në Ukrainë, apo fushatat dezinformuese që po ndodhin, lufta hibride, siç edhe Polonia për shembull është në situatë të vështirë. Si mendoni se Rusia po luan pjesën e vet kur vjen çështja tek procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE?
Osmani: Shpesh e them se kur shohim forcat malinje të Rusisë, Kinës e Iranit, një trekëndësh i djallit, përpjekjen e tyre për të ndikuar në Ballkanin Perëndimor, këtë nuk e bëjnë për bamirësi. Ata këtë e bëjnë sepse kanë disa interesa strategjike për të shtrirë fuqinë e tyre, në një pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të kontinentit evropian. Ato besojnë se duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor, duke përdorur instrumente të ndryshme, dhe kjo më së shumti nga Rusia, është e qartë, duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor, ata duan ta destabilizojnë tërësisht bazën e sistemit të vlerave që janë BE-ja e NATO. Ju e dini ne jemi një lagje, jemi shumë afër njëri me tjetrin. Jemi vetëm katër orë larg vozitje nga Bullgaria apo katër orë larg vozitje nga Hungaria, e disa orë më shumë deri në Poloni. Është e qartë se kur një vend është në konflikt, të tërë janë të destabilizuar ashtu siç mund ta shohim nga agresioni rus ndaj Ukrainës. Prandaj agresioni rus, historikisht ka qenë, por mund të shohim prezencën e tyre më të madhe në vitin 2022 kur u invadua Ukraina. Interesi i Rusisë është destabilizimi i Ballkanit Perëndimor për të pasur një efekt zinxhir e për të pasur një zonë të konflikteve në Evropë, në mënyrë që të tërheq gjithashtu vëmendjen e BE-së nga Ukraina. Mendoj se Polonia e di më së miri se me aktorë sikurse Rusia, asnjëherë nuk mund të llogarisësh në dashamirësi. Është krejt e kundërta se çfarëdo që ata bëjnë, e bëjnë ssikurse që ka ndodhur përgjatë historisë dhe këtë na e tregon historia e nuk kemi nevojë ta zbulojmë rrotën. Ne vetëm kemi nevojë të mësojmë nga historia. Edhe kur ata ndërmarrin veprime të ndryshme, ata përgatiten le të themi për ndonjë sulm në të ardhmen ndaj ndonjë vendi. Sigurisht se përtej Ukrainës, Polonisë apo vendeve të tjera në atë rajon, ata gjithmonë historikisht kanë treguar interes për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Është shumë qenësore që pjesa jonë e Evropës t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s sepse mendoj se ajo do të përfundonte këto ëndrra të Rusisë për të destabilizuar Evropën në tërësi dhe të ndalonte Evropën si projekt i tërësishëm i paqes, dhe lirisë që ishte edhe qëllimi i themeluesve të saj. Është qenësore që ne kemi mbështetës dhe aleatë sikurse është Polonia dhe vende të tjera brenda BE-së sepse ju e dini se në çfarë po kalojmë, e dini kur shfaqet rreziku, e dini se çfarë është të kesh një fqinj të çmendur që ka tërësisht ide të tjera për demokracinë. Përtej armatosjes së Serbisë për të sulmuar fqinjët e saj, Rusia ka përdorur siç edhe ju e përmendet me të drejtë, instrumente të tjera e më së shumti përmes fushatave të dezinformimit e propagandës. Menjëherë pas agresionit rus ndaj Ukrainës, në vitin 2022, ata kanë trefishuar shumën e parave për propagandë në Ballkanin Perëndimor. Ata kanë të ashtuquajturën Qendra Humanitare Ruse në Serbi e cila është jo shumë larg nga kufiri me Kosovën e që sipas Departamentit Amerikan të Mbrojtjes është qendër e spiunazhit rus. Ju e shikoni se sa më shumë kohë kalon, Serbia merr më shumë para, më shumë armë, nga Rusia, Bjellorusia e tani edhe nga Irani që është edhe një rrezik tjetër. E sigurisht edhe me Kinën, është bërë vendi i vetëm në Evropë që ka FK3, sistemin e armatimit. Të gjitha këto tregojnë se ne kemi një aktor destabilizues në rajonin tonë, dhe kemi nevojë për përkrahjen e BE-së dhe NATO-s për ta ndaluar nga ndikimi i tërë rajonit për të mos shkuar në drejtim të gabuar. Në Kosovë nuk lejojmë as zero ndikim rus, kinez apo iranian. Megjithatë, kur ke vende fqinje që vazhdimisht janë pjesë e atyre ndikimeve malinje, duke u përpjekur ta destabilizojnë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën e të tjerat, krijohet vështirësi ashtu siç e thatë edhe ju. Por kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është vend i sigurt. Madje është krejtësisht e kundërta. Në mënyrë të suksesshme kemi ndaluar çdo përpjekje nga Serbia, me mbështetjen edhe të aleatëve tanë nga NATO që janë në Kosovë, përfshirë edhe ushtarët e shkëlqyer nga Polonia, që kanë dhënë një kontribut të veçantë për paqe e siguri, për të gjithë qytetarët tanë, por në tërësi e kanë bërë tërë Ballkanin Perëndimor më të sigurt.
Osmani: Qartësisht nuk kemi ndaluar asnjëherë së bëri detyrat tona të shtëpisë, qofshin ato reformat ekonomike, rendi e ligji apo reformat për ta bërë sistemin tonë e demokracinë tonë më të fortë. Edhe në këtë kohë kur ende nuk e kemi Parlamentin të konstituuar, Qeveria jonë vazhdon të punojë në atë drejtim. Për ne është thelbësore që hapat tonë drejt BE-së të mos ndalojnë asnjëherë. Nganjëherë janë hapa më të vegjël, nganjëherë janë të ngadalshëm, por asnjëherë nuk ka hapa prapa. Kjo është qenësore. Po punojmë fort me disa shtete nga BE-ja për t’ia dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat sepse Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat. Është një proces shumë sfidues politik, por po punojmë në të. Mendoj se është interes strategjik i BE-së për t’i lejuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të lëvizur drejt anëtarësimit në BE, e ato janë gjashtë vende të këtij rajoni. Pesë prej tyre e kanë statusin e vendit kandidat e Kosova nuk e ka, qartësisht për shkaqe politike të brendshme që kanë disa vende. Nuk është se ato kanë diçka saktësisht kundër Kosovës, por kanë problemet e tyre të brendshme. Po mundohemi të gjejnë një rrugëdalje që të lëvizin përpara në atë proces në mënyrë që të hapim kapitujt e negociatave e pastaj i gjithë procesi do të shndërrohej në diçka shumë konkrete sepse ka detyra konkrete. Pra kjo është një fushë në të cilën po punojmë. Sa i përket çështjeve ekonomike, kemi ende shumë për të bërë. Kosova ka vërtetë potencial, duke pasur popullatën më të re në Evropë, të cilët janë të jashtëzakonshëm, flasin shumë gjuhë, e që mund të udhëtojnë në botë, të marrin shumë përvojë, e vërtetë të kontribuojnë për Evropën në tërësi e jo vetëm në Kosovë në aspektin e rritjes ekonomike. Siç thash edhe dje duke folur me student këtu në Alpbach, është vetëm çështje kohe kur rajoni ynë do të shikohet si potencial e jo si barrë për BE-në. Potencial për më shumë siguri, rritje ekonomike, më shumë teknologji, rini e do të thosha edhe për më shumë shpirt evropian. Pra një vend ku 97 për qind e tyre, vërtetë besojnë në Evropë e vlerat e saj, e që ishte besim i njëjtë sikurse themeluesit e saj. Jo Evropë e interesave apo Evropë e një makinerie parash. Evropë që qëndron mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe rend e ligj. E kjo është ajo që gjithmonë e ka përkufizuar Evropën ndryshe, nga këto ato aktorët malinj që folëm pak më parë. Kjo është ajo përse duam t’i bashkohemi. Pra jo vetëm për rritjen ekonomike, ajo është e rëndësishme, por ne duam të fitojmë, ta fitojmë të jemi vërtetë evropianë e t’i kontribuojmë vlerave mbi të cilat qëndron BE-ja.
Gazetarja: Çfarë deklarate. E gjitha bazohet në një raport të barabartë këmbimi. Jep diçka e merr diçka e të pasurit një bashkëpunim të shëndetshëm. Faleminderit shumë zonja president. Ishte kënaqësi që ju patëm në RTP World.
Osmani: Është gjithmonë kënaqësi të jem me ju.
The post Osmani për televizionin polak: Rusia, Kina e Irani po përpiqen të destabilizojnë Ballkanin – Kosova nuk flirton me fuqi malinje appeared first on Kosovapost.net.