Osmani nga Samiti i Tiranës, kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, ka kërkuar heqjen e masave të BE-së karshi Kosovës.

“Është mirë që fund të Samitit të dalim me një plan konkret se si shtetet tona të ecin drejt BE-së. Sa i përket Republikës së Kosovës, përkundër faktit që ne jemi 100 për qind të linjëzuar me politikën e Jashtme dhe atë të sigurisë së Bashkimit Evropian, fatkeqësisht ka një bllokadë totale, nga ana e BE-së nuk vlerësohen reformat tona, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohet fakti që ne jemi 100 për qind në përputhje me politikat e tyre, dhe sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, dhe sa i përket politikave të tjera. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë, se më shumë po hapet dera për ata që po shkojnë në Moskë te Putini, sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër pos BE-së”.

“Kërkesat tona do të jenë të zëshme, jo nga arroganca, por se e meritojmë”, tha tutje ajo.

“Kam pritshmëri për një balancë, sepse Kosova është nën sanksione, Serbia nuk është, dhe kjo e prish balancin”, u shpreh tutje e para e vendit.