Osmani në SHBA flet për krizën me Kuvendin: Do t’i drejtohem Kushtetueses me pyetje të veçanta

Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, derisa po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar zyrtarë të lartë amerikanë e ka marrë pjesë në diskutime. Gjatë një diskutimi që pati në Hudson Institute në Uashington, Osmani tha se ishte angazhimi personal i Donald Trumpit që ndali një përpjekje të Serbisë për të shkaktuar tensione në kufirin me Kosovën, duke vlerësuar rolin e SHBA-së në ruajtjen e paqes.

Osmani, gjatë këtij diskutimi, ka folur për krizën institucionale në Kosovës që është shkaktuar tash e sa muaj, duke paralajmëruar kështu se do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarime lidhur me moskonstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik, kur parashihet edhe përfundimi i afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.

Një eskalim i planifikuar që Serbia ta bënte në kufirin me Kosovës është parandaluar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Kështu ka thënë për të dytën herë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, derisa po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA.

Në një diskutimi në Hudson Institute Osmani ka deklaruar se presidenti Trump e ka ndalur eskalimin në kufirin Kosovë-Serbi

“Siç e ka thënë Presidenti Trump ai e ka parandaluar një tension, e ka parandaluar një eskalim, atë që Serbia po përpiqej ta bënte në kufirin me Kosovën. Por, ishte angazhimi i tij personal dhe roli i tij që e parandaloi që është një lidership i vërtetë në ruajtjen e paqes.Sepse paqja, siç e dimë të gjithë nga lufta në Ukrainë, nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë. Është diçka që duhet mbrojtur vazhdimisht, duhet kultivuar vazhdimisht. Dhe roli i Shteteve të Bashkuara në këtë përpjekje është thelbësor. Është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm”, tha Osmani, presidente e Kosovës.
Osmani, gjatë këtij diskutimi ka folur edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit e arritur në shtatorin e 2020-ës, duke thënë se kjo marrëveshje është zbatuar.

“Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar, por aty ku shoh më shumë potencial është të shkosh përtej Marrëveshjes së Uashingtonit. Përvoja jonë me administratën Trump është se ata janë veprues, ata i kryejnë gjërat, kështu që mendoj se ka potencial për të bërë gjëra të rëndësishme, jo gjëra të parëndësishme, jo gjëra të vogla. Po flas për gjëra të mëdha, gjëra që do të kontribuonin vërtet në paqen afatgjatë, jo në zgjidhje të shpejta, paqe afatgjatë në rajon…”

Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses nuk ka sqaruar sa duhet pasojat, në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, për çka presidentja e vendit tha se do t`i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese me pyetje të veçanta për këtë bllokadë institucionale.

“Në kushtetutën tonë, kur e hartuam, ishte e pamundur të parashikohej çdo skenar i vetëm. U hartua në një mënyrë me një mendim pozitiv, që ligjvënësit do të bashkëpunonin, në vend që të bllokonin njëri-tjetrin dhe institucionin. Pra, tani për tani, për shkak të një mungese qartësie kushtetuese, nëse mund ta quaj kështu, Parlamenti nuk është konstituuar. Por patëm një rast të ri në gjykatën Kushtetuese dhe gjykata ka sqaruar se ekziston ky afat i rreptë 30-ditor, i cili do të skadojë më 26 korrik, për Kushtetutën e Parlamentit. Por nuk sqaroi se cilat janë pasojat ligjore të mosrespektimit të atij afati të detyrueshëm kushtetues. Pra, duket se do të më duhet t’i drejtohem përsëri gjykatës dhe t’u bëj atyre atë pyetje të veçantë, dhe shpresoj se ata do të përgjigjen”, deklaroi Osmani.

Sidoqoftë, gjatë këtij diskutimi ajo është shprehur optimiste për tejkalimin e këtij ngërçi politik, derisa ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit po i sjell dëme Kosovës dhe qytetarëve të saj.

The post Osmani në SHBA flet për krizën me Kuvendin: Do t’i drejtohem Kushtetueses me pyetje të veçanta appeared first on Kosovapost.net.