Osmani mohon planin për rezidence presidenciale: Këtu ku jemi mysafirët përballen me erën e kanalizimeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mohuar raportimet se synon të ndërtojë një rezidencë presidenciale, por ka shtuar se në katin ku është aktualisht presidenca në objektin e Kuvendit të Kosovës, përballen me erë kanalizimesh.

“Presidentja e vendit ASNJËHERË nuk ka kërkuar ndërtim të ndonjë rezidence presidenciale, as me oborr privat, as me dhoma private, e as ndonjë luks tjetër personal. Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e Presidentes dhe brenda suazave ligjore Presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës”, thuhej në një reagim.

Së pari, Presidentja ka kërkuar që të procedohet vetëm me ndërtesën zyrtare të Presidencës, e cila do të përdoret për zhvillimin e takimeve dhe pritjeve shtetërore, sepse Kosova është vendi i vetëm në Evropë – në mos edhe në botë – ku Kreu i Shtetit nuk ka një objekt të posaçëm për realizimin e funksionit të tij/saj zyrtar. Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale. Nuk ka as hapësirë për organizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira përorganizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira për akomodimin e mysafirëve të lartë, dhe as ambient për darka apo dreka zyrtare të nivelit të lartë, të cilat Kosova i organizon në restorante private — një praktikë krejtësisht e pazakontë për çdo shtet serioz. Është e turpshme që edhe 26 vite pas çlirimit, kjo çështje themelore nuk është zgjidhur”, thuhej më tej.

Së dyti, edhe nëse fillon ndërtimi i një ndërtese të tillë zyrtare presidenciale në truallin që i është ndarë Presidencës që nga koha e Presidentit Rugova, realizimi i saj do të zgjasë të paktën 5–6 vite, gjë që bën të qartë se Presidentja Osmani nuk do ta shfrytëzonte një objekt të tillë gjatë mandatit të saj. Prandaj, çdo pretendim se ajo po ndërton “për vete” është jashtë çdo logjike dhe tregon mungesë kuptimi për rëndësinë që ka funksionimi i institucioneve me dinjitet dhe kushte minimale pune”, thuhej në reagim.