Osmani kritikohet se e shndërroi institucionin e Presidencës në “mjet politik personal”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u kritikua ashpër pas paraqitjes së saj në konferencën e sotme për media, ku – në vend se të mishëronte rolin e unifikueses së shtetit – zgjodhi të flasë me tonin e zëdhënëses së pushtetit aktual. Fjalori i Osmanit, i ngarkuar me po aq brutalitet retorik sa ai i Vetëvendosjes rreth Gjykatës Kushtetuese, u cilësua si “manovër partizane” për “përfitim të kredencialeve të tallava patriotizmit”.

Analisti politik Agon Maliqi tha debati mbi bllokimin e konstituimit të institucioneve nuk duhet të reduktohet tek komuniteti serb, por të shikohet si pasojë e veprimeve të shumicës shqiptare.

Ai shtoi se, përmes rrëshqitjes në rolin e avokates së pushtetit aktual, Osmani po i bën një dëm vetes më shumë sesa kundërshtarëve të saj.

“Nëse dikush po e përdor pozitën e nënkyetarit të Kuvendit si veto për themelimin e institucioneve, atëherë këtë gjë po e bën shumica shqiptare – serbët nuk është se nuk po nominojnë kandidatë që ne të mund të ecim tutje pa ta. Presidentja këtë vit gjatë krizës politike dhe institucionale ka qenë absolutisht nën nivelin e detyrës, duke e kthyer zyren e unifikuesit të popullit në një mjet politik personal. Nëse me këto manovra partizane mendon se mund të sigurojë mbështetje për mandat të dytë, i ka bërë vetes antireklamën më të madhe të mundshme.” – shkroi Maliqi.

Në një ton po aq kritik, analisti Ilir Deda u ndal te rrënjët e problemit. Sipas tij, gjithë ky debat është i ngritur mbi premise të gabuara, dhe për këtë arsye edhe produkti i tij është absurd.

Deda kujtoi edhe paradoksin që sipas tij e zhbën gjithë narrativën e Presidentes.

“Kur premisa është gabim, çdo gjë tjetër vazhdon gabim. Dhe në bazë të pikënisjes së gabuar shtrohen dilema të gabuara, dhe përfundojmë në konkluzione qesharake. Kështu pra dhezim debate “të zjarrta” se çfarë shteti apo shoqërie është Kosova, apo a ka veto apo jo një parti politike në konstituim të Kuvendit. Gjithë kjo energji e shpenzuar kot. Me paradoks që vret ku “mbrojtjen e Kushtetutës” po e bëjnë ata që e shkelën më së shumti. Apo, si Presidentja e heshtur, që flet veç kur ka nevojë të merr pak pjesë në përfitim të kredencialeve të tallava patriotizmit. Po ndalem veç te një pjesë – për Kuvend NUK mund të mirret si argument asnjë rrethanë para aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të viteve 2014 dhe të përsëritura në 2025 – sidomos jo ato raste kur Kosova nuk ka pasë as Kushtetutë e as Gjykatë Kushtetuese, e as që ka qenë shtet – pra, gjatë kohës së UNIMKut.” – shkroi Deda.

Në anën tjetër, Juristi Ehat Miftaraj shpjegoi se letra e Presidentes drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk ka vlerë si dokument juridik.

Ajo është, sipas tij, një deklaratë e pastër politike, e zhveshur nga çdo peshë kushtetuese, teksa kritikoi edhe kontradiktën e sjelljes së Osmanit.

“Letra e Presidentes Osmani drejtuar Gjykates Kushtetuese nje deklarate e fuqishme politike. Fatkeqësisht me argumentim te dobet kushtetues dhe juridik. Politikisht do ishte korrekte nese kjo leter do iu drejtohej perfaqesive diplomatike ne Kosove duke mbrojtur qendrimin saj lidhur me procesin e konstituimit te Kuvendit te Kosoves. Sidoqofte, GJK nuk mund te bazoj aktgjykimin ne deklarata politike dhe udhezime pa ndonje vlere apo argument kushtetues dhe juridik. Eshte e pazakonte qe ne takime me ambasadore te mbaj qendrim neutral kurse ne konferenca per media qendrim tjetër.” – deklaroi ai.