Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit prej 10 për qind për produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë veprim sipas Osmanit, do të përcillej mesazhi se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në
Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Qeverisë në detyrë që të pezullojë taksën prej 10% që Kosova e ka të vendosur ndaj mallrave të SHBA-së.
Kjo kërkesë e Osmanit vjen pas vendimit të Administratës Trump për vendosje të tarifës 10% për të gjitha importet në SHBA, përfshirë edhe Kosovën.
Osmani tha se me këtë vendim do të çohej mesazh se Kosova është për raport më të fortë me SHBA-në.
“Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata”.
Osmani tha se është e bindur se kjo lëvizje do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen ekonomike afatgjatë.
“Më shumë se një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj aleancës Kosovë-SHBA, e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe dekada të mbështetjes së palëkundur”.
Trump dje ka vendosur tarifa edhe më të larta për vendet që ai i quan “shkelësit më të këqij”, në një moment vendimtar për tregtinë globale.
Edhe njohësi i çështjeve politike, Petrit Zogaj, ka reaguar në lidhje me tarifat e vendosura nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj produkteve të Kosovës.
Zogaj në reagimin e tij e thekson se Kosova ka tarifuar produktet e SHBA-së me 10 për qind.
‘‘Para se US ka vendose tarife 10% ndaj produkteve te Kosoves, Kosova paska tarifuar produktet e US me 10%. E lehte eshte te hiqet tarifa 10% qe US vendosi dje, fillimisht hiqeni ate te Kosoves. Kqyre ti, Kosova tarife 10% ndaj US’’, ka shkruar ai.