Osmani i drejtohet Kushtetueses me fjalë të LVV-së, përdor argumentet që u thanë në mbledhjen e partisë së Kurtit

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti duket se duan të njëjtin vendim nga Gjykata Kushtetuese, e cila po i shqyrton shkeljet e mundshme në mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje vendosi ta mbyllë seancën konstituive duke e shpallur funksionalizimin e Kuvendit punë të kryer, edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb. Presidentja madje sot përdori të njëjtat argumente që u thanë në mbledhjen e kësaj partie të dielën dhe i arsyetoi plotësisht sulmet që nga aty iu bënë instancës më të lartë gjyqësore në vend, që qëndron edhe mbi pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv.

 

Presidentja Vjosa Osmani përdori fjalë që dolën nga mbledhja e Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, ndërsa argumentoi sot në një konferencë të thirrur për media se pse Kuvendi, sipas asaj që foli, duhet të konsiderohet i konstituuar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.

Ajo foli për “bllokim të konstituimit të Kuvendit”, duke thënë se nëse kjo bëhet për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb “do ta cenonte në mënyrë serioze, jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe themelet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Republika jonë”. E përmendi “veton” që ajo ka frikë se mund t’ia “japë” Kushtetuesja Listës Serbe në konstituimin e Kuvendit, në aktgjykimin që pritet të shpallet në fund të muajit.

Osmani, që tha se ka dërguar komente në Kushtetuese, i kërkoi Gjykatës që “Republika e Kosovës të mos mbahet peng i cilësdo parti apo komuniteti, në kuptimin që askush të mos e ketë të drejtën e vetos mbi funksionalizimin e institucioneve kushtetuese, sepse një mekanizëm i tillë vetoje do të rrezikonte vetë themelet e rendit demokratik dhe sovranitetin e shtetit tonë”.

Të njëjtën, me disa fjalë të tjera dhe disa identike, e kishte thënë nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca në një mbledhje të partisë të dielën. Ai e tha i pari argumentin me “veto”, duke përmendur paraprakisht dy opsione, njëri prej të cilëve sipas tij duhet të përfshihet në aktgjykimin e Kushtetueses.

“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese serbe. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha ai.

“Ama skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm”, tha Konjufca. “Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”.

Konjufca i fajësoi partitë tjera për zgjatjen e krizës institucionale, ndërsa tha se asaj i kontribuoi “edhe Gjykata Kushtetuese”, qasja e së cilës sipas tij ishte “më shumë politike se kushtetuese”. LVV-ja, e cila për muaj me radhë nuk pranoi ta hiqte emrin e Albulena Haxhiut si propozim për kryeparlamentare, konsideron se partitë tjera po mbanin “qëndrime antishtetërore” që s’ia votuan këtë kandidate.

“Ne e kemi Kuvendin dhe do ta bëjmë edhe Qeverinë”, tha Konjufca në mbledhjen e partisë, para se ta propozonte kryetarin Albin Kurti për kryeministër të vendit.

Osmani tha se në Gjykatë nuk dërgoi komente lidhur me mënyrën e votimit për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë, e cila është çështja kryesore në ankesën e Listës Serbe. Kjo, sipas saj, “duket çështje dytësore, tretësore apo edhe më poshtë”.

Publicisti Agon Maliqi tha se Osmani mund të jetë duke menduar se me këto “manovra partizane” mund të sigurojë mbështetje për një mandat të dytë si presidente.

“Nëse dikush po e përdor pozitën e nënkyetarit të Kuvendit si veto për themelimin e institucioneve, atëherë këtë gjë po e bën shumica shqiptare – serbët nuk është se nuk po nominojnë kandidatë që ne të mund të ecim tutje pa ta. Presidentja këtë vit gjatë krizës politike dhe institucionale ka qenë absolutisht nën nivelin e detyrës, duke e kthyer zyren e unifikuesit të popullit në një mjet politik personal. Nëse me këto manovra partizane mendon se mund të sigurojë mbështetje për mandat të dytë, i ka bërë vetes antireklamën më të madhe të mundshme”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Gkjykata Kushtetuese, e cila vendosi të premten një masë të të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve ndërmarrjen e çdo veprimi apo zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së deri më 30 shtator, u sulmua brutalisht në mbledhjen e Vetëvendosjes.

Kurti, i cili sot u votua unanimisht si i propozuari i partisë për kryeministër, u duk se nuk po zgjedhte fjalë në atë mbledhje për ta sulmuar Gjykatën Kushtetuese, shkruan Gazeta Express.

Ai e quajti “shumë absurde” dhe “shumë të dëmshme” vendosjen e masës së përkohshme nga Kushtetuesja, e cila tha se “po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”. Vendosja e kësaj masi, sipas tij, “është ngjashëm sikur Arben Vitia (ministër në detyrë i Shëndetësisë) të lëshojë vendim mjekësor që ata shtatë gjyqtarë të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së tyre të rënduar”.

Kurti tha se Kushtetuesja po “vonon, zvarrit, pengon dhe qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët”.

“Ne si qeveri kemi marrë më shumë se një vendim në ditë, e ata më shumë se 11 muaj për një vendim. E kur e marrin atë vendim, është vendim zakonisht i mbrapshtë e ne i kemi të gjitha këto vendime të mira”, tha ai.

Osmani e arsyetoi këtë sulm sot, duke përmendur lirinë e shprehjes. Tha se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë “shenjtëri”.

“Jo, janë institucion publik dhe mund të flasim edhe për punën e tyre”, tha ajo.

Kjo gjuhë, sipas saj, “është brenda normave të debatit demokratik”.

Deri në fund të muajit pritet të publikohet një aktgjykim për mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje përmes kryeparlamentarit të saj, Dimal Basha vendosi ta mbyllte seancën konstituive duke e shpallur funksionalizimin e Kuvendit punë të kryer, edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.

Deri atëherë, Osmani do të presë, dhe më pas, siç tha, do ta thërrasë partinë e parë dhe “menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit” për formimin e qeverisë së re.