Osmani i bën vetes qejfin: Flet për matje që s’i ka parë askush, thotë se 81% e qytetarëve duan mandat të dytë për të

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar, se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, duke iu referuar disa matjeve, Osmani thotë se 81% e qytetarëve e duan edhe një mandat të dytë në krye të presedencës me të.

“Në shumicën dërmuese të matjeve, shihet që diku rreth 81 për qind e qytetarëve të Republikës dëshirojnë një mandat të dytë. Pra, do ta shohim në qoftë se deputetët dëshirojnë materializim të këtij vullneti. Pra, këto janë çështje që do t’i bisedojmë, megjithatë për mua është thjesht një mundësi për t’i shërbyer vendit, dhe në qoftë se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e dëshirojnë këtë, atëherë unë do ta vazhdoj mundësinë e shërbimit të vendit në mundësi tjera”, është shprehur Osmani.

Tutje, ajo thotë se “ka edhe mundësi të tjera që mund të angazhohem në politikë. Angazhimin politik nuk do ta ndërpres assesi, pavarësisht rezultatit që do të arrihet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por, mendoj që është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës që të ketë vazhdimësi të punëve të mira, dhe shpresoj shumë që këtë vlerësim ta kenë edhe shumica dërmuese të deputetëve të Kuvendit, por, natyrisht ata e kanë mendimin e tyre të lirë dhe do ta shohim në ditët në vijim se cili do të jetë ai”.