Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën që po mban për media ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën me numër KO215/25, pas informacioneve për caktimin e gjyqtarit të Kushtetueses, Radomir Laban, si gjyqtar raportues për çështjen e ngritur pranë këtij institucioni nga vetë Presidentja në lidhje me ecurinë e konstituimit të Kuvendit.
Osmani tha se kjo ka të bëjë me mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Ajo theksoi se gjyqtari nuk është emëruar nga ana e saj, njofton Klankosova.tv.
“Ju njoftoj se sot në përputhje me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, dhe rregulloren e kësaj Gjykatë kam tërhequr kërkesën numër KO215/25, e paraqitur në 22 korrik, këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm pas informatës se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Laban për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitin 2018, 2021 dhe 2024, Institucionet tona kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare. Sipas këtyre informatave, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare për Kosovën dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit”, tha Osmani.