Osmani: Gjermania ka qenë e mbetet shtyllë strategjike për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, me fokus te zhvillimet rreth konstitutimit të parlamentit. Po ashtu, u diskutua për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz. Më tej, Presidentja Osmani vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane.

Presidentja Osmani nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës.

Tutje, Presidentja kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimit e plotë ndërkombëtar të Kosovë e në veçanti në Këshillin e Evropës, duke njohur rolin e Gjermanisë në Këshill dhe rëndësinë e këtij procesi për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në takim, Presidentja theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke elaboruar qartë kontributin që një e tillë do të kishte në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon e Evropë.
Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Presidentja theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke theksuar se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës.

Në takim Presidentja foli edhe për rëndësinë e largimit të plotë të masave të padrejta, duke theksuar që Gjermani mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
Presidentja Osmani dhe z. Reiffenstuel diskutuan edhe për mënyra konkrete të bashkëpunimit bilateral, me ç’rast konfirmuan se takime të këtilla dhe vizitat e nivelit të lartë kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e objektivave të përbashkëta.