Osmani e “hendikepuar” nëse synon mandat të ri, të gjitha pozitat janë të negociueshme pas zgjedhjeve, sipas Rashitit

Vjosa Osmani me siguri do të jetë duke e menduar të ardhmen e saj politike, ndërsa mandati i saj si presidente po i afrohet fundit. Rrethanat kanë ndryshuar dhe rizgjedhja e saj nuk do të ishte e lehtë, sipas Naim Rashitit. Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika thotë se pas zgjedhjeve të fundvitit “marrëveshjet e reja politike mund të sjellin emra të rinj” për pozitën e shefit të shtetit. Madje sipas tij, “të gjitha pozitat do të jenë të hapura”, përfshirë atë të kryeministrit dhe presidentes.

Pa i deklaruar qartë synimet e saj, Vjosa Osmani po i kalon muajt e fundit të mandatit të saj si presidente.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, beson se rreshtimi i saj me Lëvizjen Vetëvendosje përgjatë këtyre viteve “do ta hendikepojë” nëse synon të rizgjidhet shefe e shtetit, kur mandati pesëvjeçar t’i përfundojë më 7 prill 2026.

“Presidentja që nga viti 2021 ka qenë e rreshtuar me LVV-në dhe asgjë e re nuk ka ndodhur. Edhe në të kaluarën ka pasur këso koalicione dhe bashkërendime. Por kjo do ta hendikepojë nëse llogarit në votat e subjekteve tjera për t’u rizgjedhur”, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, tha ai në një prononcim për Gazetën Express.

Rashiti nuk përjashton “marrëveshje të mundshme politike që edhe e mundësojnë atë”, por shton se “rrethanat kanë ndryshuar, numrat kanë ndryshuar dhe akterët politikë kanë ndryshuar”.

“Kështu që marrëveshjet e reja politike mund të sjellin emra të rinj e kandidatë të rinj. Nuk e dimë”.

Vjosa Osmani erdhi në pozitën e presidentes në vitin 2021 si njeriu më i votuar në saje të një bashkëpunimi me Albin Kurtin i cili e mori drejtimin e qeverisë. “Me një rezultat të ri, apo edhe me rezultatin e shkurtit 2025, kjo nuk është e mundur”, thotë Rashiti. “Në këtë rast, subjektet do ta humbin njërin: kryeministrin apo Presidentin”.

Ai thotë se “nganjëherë numrat kërkojnë edhe kompromise më të mëdha”, duke sjellë në kujtesë koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës me Lidhjen Demokratike të Kosovës në vitin 2015. Edhe këtë vit, kujtoi Rashiti, “fituesi i zgjedhjeve dhe kandidati për kryeministër u detyrua t’i lirojë edhe pozitat e tij në përpjekje për formimin e qeverisë”.

Pas 28 dhjetorit, sipas tij, të gjitha pozitat institucionale do të jenë “të hapura”.

“Pra, duhet marrëveshje politike për pozicione institucionale. Sipas praktikës, pas datës 28 dhjetor, do te ketë negociata që të gjitha pozitat do të jenë të hapura. Krejt varet nga rezultati i zgjedhjeve”, tha ai.

Çështja e Presidentit, “fatkeqësisht është bërë gjithmonë pjesë e marrëveshjeve të koalicioneve për formimin e institucioneve, dhe me shumë gjase do të ndodhë e njëjta”, thotë Rashiti. “Kësaj radhe subjektet politike do të bëjnë marrëveshje që përfshin edhe zgjedhjen e Presidentit”.

Ai parashikon se “në rastin më të mirë, Kuvendi do të konstituohet në prag ose pas fillimit të afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Dhe do të ketë shumë pak kohë. Kështu që subjektet e dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit do të detyrohen ta adresojnë edhe zgjedhjen e Presidentit/es”.

“Vetëm ata që dëshirojnë që kriza politike e institucionale të vazhdojë, do të hezitojnë të bëjnë këto marrëveshje politike. Besoj se është në interesin e të gjithëve që çështja e Presidentit të zgjidhet me mirëkuptim politik në dy mënyra: 1. Që çështja e Presidentit të jetë pjesë e marrëveshjes politike për formimin e institucioneve; 2. Ose që të ketë pajtim politik që Presidenti të zgjidhet me konsensus të gjerë politik, pavarësisht nga konfiguracioni dhe marrëveshjet e koalicioneve për qeverinë. Kjo do të kishte qenë idealja, por me këtë qasje politike të subjekteve politike, sidomos nga fituesit e zgjedhjeve të kaluara, është e vështirë të shohim diçka të tillë”, tha ai.

Rashiti thotë se “me shumë gjasë do të ndodhë e para, nëse dikush nga akterët kryesorë nuk krijon rrethana të reja për vazhdimin e krizës politike e institucionale”.

Osmani, ai sheh se “do të jetë në skene edhe më gjatë” dhe se marrëveshjet politike do ta përcaktojnë “se në çfarë pozicioni do te gjendet ajo”. Përmendi po ashtu se “në parim, subjektet politike bëjnë marrëveshje të reja dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që Presidenti të rizgjidhet”.

“Por kjo do të dihet vetëm kur partitë parlamentare bëjnë marrëveshje. Shpesh ato kanë ditur të na befasojnë me konfiguracionin e marrëveshjeve për koalicione. Rezultati i zgjedhjeve do ta përcaktojë formulën dhe emrat”.

Ai thotë se subjektet politike duhet të mësojnë se “në zgjedhje duhet të shkohet me një gjuhë shumë të moderuar, duke respektuar kundërkandidatët, dhe gjatë funksionimit dhe ushtrimit të roleve të gjithë duhet të kenë qasje bashkëpunuese dhe respekt për të gjithë akterët politikë”. Vetëm kështu, thotë Rashiti, ato “mund të llogarisin në marrëveshje dhe në pjesëmarrje politike”.

“Sistemi elektoral i Kosovës dhe demokracia jonë kushteteuse me bazë konsensuale kërkon respekt të ndërsjellë, bashkëpunim për të ndërtuar institucione e funksionar ato. Në sistemin e Kosovës, partitë parlamentare, sado të mëdha apo të vogla kanë shumë peshë politike në jetën institucionale dhe ato duhet të respektohen njëlloj”, tha ai.

Para se gjithash, Rashiti thotë se “duhet të kujdesemi dhe brengosemi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve”.

“Në mungesë të vëzhguesve ndërkombëtarë, pesha kryesore bie mbi subjektet politike dhe vëzhguesve të Demokracisë në Veprim. Duhet mbështetur masivisht koalicionin e OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve”.

Çështja e Presidentit do të duhej të vinte në tryezë pasi partitë politike ta kalonin sfidën e formimit të qeverisë së re. Kjo nuk ka ndodhur deri tani, për shkak të ngërçit politik që e pengoi situatën të mbërrinte deri aty dhe e çoi vendin sërish zgjedhje.

Osmani ka thënë se të ardhmen e saj politike do ta shqyrtojë “në fillim të vitit të ardhshëm”. Në disa raste kur është pyetur për të ardhmen e saj politike, ajo ka thënë se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë duke pasur parasysh “vetëm e vetëm interesin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”. Ka thënë se nuk është “e varur nga politika” dhe se do t’u “shërbejë qytetarëve për aq kohë sa ata dëshirojnë”.

Ndonëse nuk ka thënë nëse synon të zgjidhet sërish presidente, Vjosa Osmani në shtator të vitit të kaluar shprehej e sigurt se do të mbetet e fuqishme në politikë edhe pas 7 prillit të vitit 2026.

“Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë”, pati thënë Osmani, pasi ishte pyetur në një intervistë për Kallxo.com se a do të vazhdojë të jetë në politikë edhe pasi t’i përfundojë mandati si presidente. Atëherë thoshte se ishte “shumë herët” që t’i deklaronte synimet e saj, apo të fliste se, siç thoshte, “si do të rrjedhë lumi i politikës”. Synimet, në mënyrë të qartë, s’i ka deklaruar ende.