Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar avancimin e Aktit të Vlerësimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, duke thënë se kjo dërgon një mesazh të qartë se diskriminimi sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi nuk do të mbetet më i padukshëm apo i toleruar.
Ajo ka theksuar se Serbia, sipas saj, ka kryer vazhdimisht shkelje të rënda ndaj të drejtave të pakicave, duke përmendur: pasivizimin e adresave si mjet për “spastrim etnik” administrativ, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore.
Osmani ka përgëzuar kongresistin amerikan Keith Self për prezantimin dhe mbështetjen e këtij akti, si dhe kryetarin e komitetit Brian Mast dhe anëtarin kryesor Gregory Meeks për udhëheqjen, ndërsa ka falënderuar edhe të gjithë deputetët që votuan pro me mbështetje dypartiake.
“Serbia ka kryer vazhdimisht shkelje autoritare të të drejtave të pakicave, duke përfshirë fushatën e qëllimshme të pasivizimit për spastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, shkruan Osmani.
Po ashtu, ajo ka shprehur mirënjohje për organizatën Albanians4USA, duke thënë se ka ndihmuar që zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëgjohet në nivelet më të larta të politikëbërjes në SHBA.
Katër ditë më parë, Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë ligjore që synon të adresojë trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe.
Për këtë pati reaguar, edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Ai shprehu mirënjohje për kongresmenin amerikan Keith Self.










