Paneli Shqyrtues i Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), me kërkesë të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka marrë vendim për diskualifikimin e operatorit ekonomik “E Taxi Tesla Sh.p.k” nga pjesëmarrja në prokurimin publik për një periudhë tre mujore, duke e ndaluar atë të marrë pjesë në të gjitha procedurat e tenderimit publik, shkruan Demokracia.com.
Vendimi është marrë më 18 dhjetor 2025, në bazë të nenit 99 paragrafi 2 të Ligjit për Prokurim Publik, dhe lidhet me aktivitetin e prokurimit të iniciuar nga KQZ për sigurimin e auto-taksive në ditën e zgjedhjeve të 12 tetorit 2025 dhe rundin e dytë.

Mosdorëzim i dokumenteve ligjore
Sipas arsyetimit të Panelit Shqyrtues, operatori ekonomik “E Taxi Tesla Sh.p.k” ka dështuar të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar të përshtatshmërisë, përkatësisht vërtetimin nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), edhe pse i ishte kërkuar në mënyrë të përsëritur nga autoriteti kontraktues. KQZ ka argumentuar se operatori kishte dorëzuar vetëm vërtetimin e gjykatës, duke mos përmbushur kërkesat e plota ligjore.
Pavarësisht njoftimeve zyrtare, operatori ekonomik nuk i është përgjigjur as kërkesës së OSHP-së për të dhënë sqarime apo kundërargumente lidhur me pretendimet e ngritura nga KQZ.
Paneli ka konstatuar se mosdorëzimi i dokumenteve brenda afatit përbën shkelje të nenit 25.9 të Rregullores për Prokurim Publik, i cili parasheh qartë se dështimi në dorëzim të dokumentacionit të kërkuar çon në refuzim të tenderit dhe inicim të procedurës për diskualifikim.
Në këtë kontekst, OSHP ka vlerësuar se KQZ ka ofruar prova të mjaftueshme për shkeljen e dispozitave ligjore dhe ka vendosur që operatori ekonomik të diskualifikohet nga pjesëmarrja në prokurim publik për periudhën 18 dhjetor 2025 – 17 mars 2026, për të gjitha llojet e kontratave dhe procedurave të prokurimit.
Sipas vendimit, ndaj këtij akti nuk lejohet ankesë administrative, ndërsa pala e pakënaqur ka të drejtë që brenda 30 ditëve të paraqesë padi për anulim të vendimit në gjykatën kompetente. /Demokracia.com/












