Orteqet rrezikojnë Brezovicën, institucionet kërkojnë ndihmë nga KFOR-i

Qendra e Skijimit në Brezovicë vazhdon të jetë e mbyllur edhe për dy ditë të tjera për shkak të rrezikut të madh nga orteqet.

Qendra e Skijimit në Brezovicë është e rrezikuar nga nëntë orteqe të rrezikshmërisë së lartë.

“Sapo mora raportin nga FSK-ja që bashkë me Federatën e Skiatorëve kanë punuar dje dhe kanë analizuar situatën. Situata tregon se janë shtatë orteqe të mundshme me rrezikshmëri të lartë dhe dy prej tyre janë të rrezikshmërisë tepër të lartë dhe njëri është në rrugë pak pa mbërri te qendra që do të thotë rrezikon të gjitha automjetet me njerëz të shkojnë atje”, ka deklaruar Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë..

Morina ka thënë se këto orteqe janë shumë të rrezikshme dhe për këtë arsye do të kërkojnë edhe ndihmën e KFOR-it pasi që e vetmja mënyrë për t’i larguar është përmes ajrit, pra me ndihmën e helikopterëve.

Ai po ashtu ka thënë se duke e parë rrezikun e madh nga këto orteqe, Brezovica do të jetë e mbyllur edhe për dy ditë.

“Me të marrë këtë raport FSK-ja është duke u angazhuar, por nuk ka mundësi për me i largu këto orteqe sepse duhet nga ajri sepse tjetër mënyrë nuk ka shanca me i largu sepse janë shumë të mëdha dhe të rrezikshme. Kështu që ne vendosëm me ministrin që të shtyjmë edhe për dy ditë mbylljen, pra mos e  me hap edhe për dy ditë edhe mos me lanë askënd me kalu sepse është rrezik shumë i lartë. Edhe me i bërë një kërkesë KFOR-it që me e angazhu KFOR-in për me i zhbllokua këto orteqe”, ka deklaruar Morina.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se prej ditës së nesërme njësia e veçantë e intervenimit të shpejtë të FSK-së, do  të vendoset në mënyrë që për çdo rast të intervenojë me kohë.

“Për ndryshe njësia e veçantë e intervenimit të shpejtë të FSK-së prej nesër do të vendoset në shtëpitë atje lartë në mënyrë që për çdo rast të jenë atje dhe të intervenojnë”, ka deklaruar Morina.