Organizata Trump ka hyrë në tregun e telefonisë mobile, duke prezantuar të hënën një shërbim të ri komunikimi të quajtur Trump Mobile dhe një “smartphone” me çmim 499 dollarë, të quajtur T1.
Sipas Reuters, njoftimi është bërë nga vetë kompania në Trump Tower në Manhattan, si pjesë e një përpjekjeje për të tërhequr konsumatorët konservatorë që kërkojnë një alternativë ndaj ofruesve të mëdhenj të shërbimeve celulare.
Bëhet e ditur se Trump Mobile do të ofrojë një plan mujor prej 47.45 dollarësh, me biseda, mesazhe dhe internet të pakufizuar, si dhe shërbime shtesë si ndihmë në rrugë dhe “përfitime shëndetësore dhe farmaceutike”.
Ndërkohë, telefoni T1, i cili pritet të dalë në treg në shtator, ka një mbështjellës metalik me ngjyrë ari dhe është i gdhendur me flamurin amerikan, duke përçuar mesazhe patriotike dhe duke shfaqur sloganin e njohur “Make America Great Again” në ekranin e faqes së produktit.
“The 47 Plan” dhe çmimi i tij janë referenca të drejtpërdrejta ndaj Donald Trump, aktualisht presidenti i 47-të i SHBA-së.
Trump Mobile pretendon se ofron “të njëjtën mbulim si 3 ofruesit kryesorë të shërbimeve celulare” në SHBA dhe mbështetet nga një qendër klientësh e vendosur në SHBA.
Në të dhëna të tjera, mësohet se telefoni T1 operon me sistemin Android 15 dhe përmban një ekran AMOLED 6.8 inç, kamerë selfie 16 MP, kamerë kryesore 50 MP, 12 GB RAM dhe 256 GB memorie të brendshme.
Sipas CNBC-së, në fund të faqes së internetit thuhet se produktet dhe shërbimet nuk janë projektuar, prodhuar apo shpërndarë drejtpërdrejt nga Organizata Trump, por janë pjesë e një marrëveshjeje licencimi.