Orban kërcënon të bllokojë Samitin për Ukrainën dhe i bën thirrje BE-së të fillojë bisedimet me Rusinë

Kryeministri hungarez Viktor Orban i kërkoi BE-së të nisë negociatat me Rusinë për luftën në Ukrainë, duke kërcënuar se do të bllokojë samitin për Ukrainën të enjten, më 6 mars, në një letër dërguar sot presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa. Agence France-Presse ka marrë dijeni për këtë letër dhe ka verifikuar vërtetësinë e saj duke folur me diplomatë evropianë.

“Jam i bindur se BE-ja, ashtu si SHBA-ja, duhet të fillojë bisedimet e drejtpërdrejta me Rusinë për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, shkroi Orbán në letrën e tij.

Krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së do të takohen të enjten në Bruksel për të diskutuar forcimin e mbrojtjes evropiane dhe për të arritur një marrëveshje për një paketë të re ndihme ushtarake për Kievin.

Pas konfrontimit kokë më kokë midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas në Uashington të premten, Volodymyr Zelenskit i kërkohet të negociojë “garancitë e sigurisë”.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaia Kalas ka sugjeruar që 27 vendet të angazhohen për dërgesat e reja të armëve në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë raketa, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe predha artilerie.

Kundërshtimi i përsëritur i Orban për ndihmën në Ukrainë i bën negociatat brenda bllokut evropian të vështira për çdo ndihmë të re ushtarake për Kievin, veçanërisht pas fillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta midis Moskës dhe Uashingtonit për Ukrainën.

“Unë propozoj që të mos përpiqemi të miratojmë konkluzione me shkrim për Ukrainën në Këshillin e jashtëzakonshëm Evropian” për të shmangur “ndarjet”, shkroi Orban.

Evropianët kanë dhënë tashmë rreth 134 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, nga të cilat pak më pak se 50 miliardë euro janë për mbështetje ushtarake.