Orav: Vit i humbur për Kosovën, BE-së i duhen partnerë dhe një qeveri e qëndrueshme

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ishte i drejtpërdrejtë për situatën politike në vend, duke e cilësuar vitin e fundit si një “vit të humbur” në rrugën drejt progresit.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit, por ka theksuar se përparimi i Kosovës drejt integrimit evropian kërkon një partner të besueshëm dhe një qeveri stabile që gëzon mbështetje të gjerë parlamentare.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Orav tha se Bashkimi Evropian po kalon një moment vendimtar për të ardhmen e vet dhe të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se paketa e re e zgjerimit e miratuar nga Komisioni Evropian është një dëshmi e qartë e këtij angazhimi.

Megjithatë, ambasadori i BE-së e vuri theksin te Kosova, duke theksuar nevojën për bashkëpunim institucional dhe stabilitet politik.

“Jemi një kohë vendimtare për Kosovën, për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian. Paketa e zgjerimit e miratuar nga Komisioni Evropian e tregon këtë qartë. Në një mjedis gjeopolitik që po ndryshon, Bashkimi Evropian është gati të përgjigjet siç duhet dhe të afrojë edhe më shumë partnerët me aspirata evropiane.

Për Bashkimin Evropian, zgjerimi është strategjik, një investim në stabilitet, mirëqenie dhe siguri. Ndërsa e vëmë këtë vizion në zbatim, angazhimi politik ndaj reformave është thelbësor.

Në disa vende kemi parë përparim të jashtëzakonshëm, dhe reforma të mëtejshme mund ta bëjnë anëtarësimin e tyre një realitet ende brenda kësaj dekade. Fqinjët tuaj, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë në rrugën e duhur.

Tani është po aq e rëndësishme që Bashkimi Evropian të përgatitet për një Union më të madh dhe më të fortë. Komisioni Evropian së shpejti do të paraqesë gjetjet e tij mbi mënyrën se si zgjerimet e ardhshme do të ndikojnë në fushat kryesore të politikave. Ndërsa ekziston një momentum në anën e BE-së, kjo në vetvete nuk është e mjaftueshme. Dhe këtu dua të ndalem te Kosova. Dua ta them shumë qartë: për t’ju ndihmuar të ecni përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, ne kemi nevojë për partnerë. Kemi nevojë për një qeveri që bashkëpunon, një qeveri që mbështetet në një shumicë të fortë në Kuvend, e aftë të avancojë liritë themelore për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Dhe në këtë drejtim, për fat të keq, ky ka qenë një vit i humbur”, ka thënë Orav.

Orav theksoi se elita politike e Kosovës duhet të veprojë me përgjegjësi dhe të tejkalojë ndarjet e brendshme – si ato politike, ashtu edhe ato etnike – për të siguruar një shumicë të qëndrueshme në Kuvend që do të mundësonte miratimin e marrëveshjeve si ajo e Planit të Rritjes.

“Elita politike në Kosovë duhet të bashkohet, përtej ndarjeve politike dhe etnike, dhe të formojë një shumicë të fortë që do të sigurojë ratifikimin e marrëveshjes së Planit të Rritjes dhe përparimin në detyrimet tuaja në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë. Pa këtë, do të humben edhe më shumë mundësi.” – tha ai.