Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka theksuar se rikthimi i kryetarëve serbë në komunat veriore të vendit nuk është i mjaftueshëm për normalizimin e gjendjes atje.
Në një intervistë për mediumin në gjuhën serbe ‘Kosovo online’, ai ka vlerësuar se përfaqësuesit lokalë luajnë një rol vërtet të rëndësishëm që zërat e komunitetit të dëgjohen.
“Zgjedhje gjithëpërfshirëse lokale duhet të mbahen, me pjesëmarrjen e plotë të serbëve pa ndonjë parakusht”, ka thënë diplomati evropian.
Por, sipas Oravit, përvoja e kaluar ka treguar se thjesht prania e krytarëve dhe këshilltarëve serbë nuk është në vetëvete një garancë që gjendja në veri do të normalizohet.
“Siç thonë matematikanët, ky është kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm”.
Ai ka theksuar se, krahas zgjedhjeve lokale, “për të ndodhur normalizimi duhet përkushtimi dhe angazhimi konstruktiv në proces nga ana e Kosovës dhe Serbisë”.
Pyetjes se sa është i rëndësishëm rikthimi i serbëve në Policinë e Kosovës në pjesën veriore të vendit, ambasadori Orav i është përgjigjur duke përmendur Kushtetutën e Kosovës e cila thekson se komunitetet kanë të drejtën e tyre që të përfaqësohen në trupa publikë, përfshirë policinë.
“Në rastin e Kosovës veriore, bisedimet e lehtësuara nga BE-së i mëshojnë asaj që përbërja e Policisë së Kosovës në veri do të pasqyrojë përbërjen etnike të popullatës së katër komunave, ashtu siç parashihet shkoqur që komandanti rajonal të jetë serb”, ka thënë ai.
Ambasadori i BE-së, më tej, e ka cilësuar si zhvillim pozitiv që Policia e Kosovës ka rekrutuar një brez të ri zyrtarësh policorë nga komunitetet joshumicë, përfshirë serbët.
“Ky është një trend pozitiv, por ai në vetëvete nuk do të zgjidhë përbërjen e policisë në veri. BE ka bërë thirrje vazhdimisht që serbët e Kosovës të riintegrohen dhe të vazhdojnë pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës”, ka thënë Orav duke shtuar se BE pret që edhe Beogradi të inkurajojë këtë riintegrim.
I pyetur nëse BE do t’i heqë masat e saj ndaj Kosovës, ai ka thënë se nuk mund të japë një përgjigjje përfundimtare.
Orav vetëm ka përkujtuar që ish-përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri në qershor të 2024-s i ka rekomanduar Këshillit Evropian që masat të hiqen. Po ashtu, sipas tij, Këshilli në dhjetor të vitit të kaluar ka theksuar që BE do t’i heqë gradualisht masat ndaj Kosovës dhe paralelisht me hapat e Kosovës për deeskalim.
“Diskutimet brenda Këshillit po vazhdojnë, dhe vendimi nëse masat do të hiqen qëndron përfundimisht te 27 vendet anëtare të BE-së, dhe një vendim i tillë kërkon konsensus”, ka thënë mes të tjerash Orav.