,

Opozita: S’ka koordinim me LVV-në, nuk i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare

Ka kohë që në Kuvendin e Kosovës nuk po votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Kjo, për shkak të opozitës e cila ka vendosur të bëj një gjë të tillë si shenjë revolte ndaj punës së Qeverisë.

Ndërsa, në nëntor të vitit të kaluar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendosën që të zhbllokojnë këtë ngërç duke i votuar të njëjtat.

Ani pse për disa marrëveshje LDK-ja vazhdon të mbajë qëndrim që nuk do t’i votojë.

Kurse, Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që mos ta votojë asnjë marrëveshje të tillë, duke thënë se këtë po e bëjnë me qëllimin e vetëm në mënyrë që vendi të dërgohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan Front Online.

Por, ditë më parë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se janë në koordinim me LDK-në dhe AAK-në që t’ua mundësojnë kuorumin.

Kusari-Lila, ka thënë se kjo është duke u diskutuar në mënyrë që të mos rrezikohet as miratimi apo edhe rrëzimi i ndonjë prej marrëveshjeve ndërkombëtare në mungesë të votave të deputetëve.

Por, këto deklarata të Kusari-Lilës janë hedhur poshtë nga LDK-ja dhe AAK-ja.

Nga këto dy parti opozitare kanë thënë për Front Online se nuk ka nevojë që të ketë koordinim për marrëveshje që janë në interes të vendit.

Bajrami e LDK-së: Nuk koordinohemi me LVV-në për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë për Front Online se nuk ka nevojë që të ketë koordinim për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Nuk ka nevojë me u koordinu fare sepse ne marrëveshjet ndërkombëtare nuk i votojmë me i bë favor Lëvizjes Vetëvendosje, por marrëveshjet ndërkombëtare në i votojmë atëherë kur jemi të bindur që ato shkojnë në favor të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Bajrami.

Bajrami, ka treguar se janë disa marrëveshje për të cilat kanë pas kundërshtime, dhe se të njëjtat do të vazhdojnë të mos i votojnë.

“Ne e kemi kundërshtuar një marrëveshje ku MF –ja ka marrë kredi 40 milionë euro për skemat sociale, kemi disa vota për dhe disa kundër sa i përket marrëveshjes për burgun e Gjilanit dhe është marrëveshja e OPEC-ut të cilën prej ditës së parë e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë. Ndërkohë, që për të tjerat nuk ka asnjë nevojë për një koordinim. Pra prapë, po e them nuk i votojmë as për hatër të znj. Kusari dhe as të Lëvizjes Vetëvendosje, por e bëjmë këtë sepse mendojmë që duhet të jemi të përgjegjshëm karshi kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Nuk ka koordinim me VV-në”, ka thënë ajo për Front Online.

E, pyetur se a janë duke u koordinuar për datën se ku r këto marrëveshje të hidhen për votim në Kuvend, Bajrami ka thënë se data caktohet në mbledhje të Kryesisë, dhe se nuk ka çka të ketë koordinim.

“Datat për seanca zakonisht caktohen në mbledhje të Kryesisë, por nuk ka koordinim për t’i dhënë votat sepse ne votat i kemi dhënë prej fillimit, përpos atyre marrëveshjeve të cilat i përmenda”, ka shtuar Bajrami.

Deputetja e AAK-së: Marrëveshjet ndërkombëtare nuk i votojmë për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje

Njëjtë sikurse LDK-ja janë deklaruar edhe nga AAK-ja.

Deputetja e kësaj partie Time Kadrijaj ka thënë për Front Online se kanë marrë vendim që t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare jo ëpr shkak të Lëvizjes Vetëvendosje, por për shkak që janë në interes të qytetarëve.

“Ne në fakt nuk koordinohemi me Lëvizjen Vetëvendosje. Ne marrëveshjet ndërkombëtare nuk i votojmë për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje por i votojmë se janë me interes për qytetarët e Kosovës, andaj në këtë kontekst ne si Aleancë kemi vendos që meqenëse janë marrëveshje që afektojnë jetën e qytetarit ne kemi vendos që të njëjtat t’i votojmë dhe në asnjë mënyrë për shkak të Qeverisë e as për shkak të grupit parlamentar”, është shprehur Kadrijaj për Front Online.

Sipas saj, ky është vendim i Aleancës pa ndonjë koordinim me asnjë parti tjetër politike e aq më pak me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndryshe për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës nevojiten 2/3, respektivisht votat e 80-të deputetëve.

Related Posts