Opozita paralajmëron rritje të pagave mbi 30%, a do t’i rris pagat Qeveria “Kurti” para zgjedhjeve?

Pagat e ulëta në sektorin publik dhe privat edhe më tej mbeten brengë kryesore për shumë qytetarë të Kosovës. Mbi këtë pakënaqësi partitë politike në Kosovë po paralajmërojnë rritje të pagave deri mbi 30%, raporton FrontOnline.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) paga mesatare bruto në Kosovë është vetëm 521 euro (467 € neto), ndër më të ulëtat në rajon dhe Evropë.

Burime të FrontOnline thonë se Qeveria e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, po diskuton për mundësinë e rritjes së pagave dhe pensioneve në gjysmën e dytë të këtij viti, pasi që pakënaqësitë e punëtorëve shtetëror me pagat që marrin janë të mëdha dhe kjo mund ta dëmtoj subjektin më të madh politik në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen muajt e ardhshëm.

Këtë mundësi për rritje të pagave nga Qeveria e Kosovës, partitë opozitare e shohin si fushatë puro-politike dhe mashtrim të radhës për zgjedhjet e reja nacionale dhe kartë për t’i bindur qytetarët për t’i votuar ato derisa idetë e tyre i shohin burim nga rritja e kostos së jetës.

Përndryshe, koeficienti i pagës në Kosovë sivjet është 110 €, një rritje prej vetëm 5 € nga viti i kaluar. Me këtë koeficient shumica e pagave në sektorin publik sillen rreth 600 €.

Deputeti i VV-së: LDK-ja nuk shquhet për rritje kaq të madhe të pagave siç po deklarojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, njëherit anëtar nga Komisioni Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, thotë për FrontOnline thotë se deri më tani nuk ka asgjë zyrtare nga Qeveria e Kosovës sa i përket ndonjë plani për rritje të pagave.

‘’Nuk ka asgjë zyrtare nga ana e Qeverisë sa i përket rritjes së pagave’’, deklaron ai.

Haliti thotë se një rritje të tillë e sheh si të mirëseardhur, por se kjo varet nga rritja ekonomike e që për të një rritje e pagave ka ndodhur gjatë këtij viti.

‘’Rritja e pagave gjithmonë është e mirëseardhur, por në vartësi të rritjes ekonomike. Një rritje ka ndodhur në fillim të këtij viti, me ngritjen e vlerës së koeficientit të pagës’’ shprehet ai.

Ndërkaq, sa i përket deklarimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka thënë se do të bëjë rritjen e koeficientit për mbi 30% nga 110 euro sa është tani një koeficient në 150 euro, deputeti i VV-së thotë se LDK nuk është shquar ndonjëherë për rritje të pagave.

‘’Nuk e di se çfarë kanë thënë LDK, por ata ishin në qeveri për vite të tëra dhe nuk mbahen mend për ndonjë rritje të pagave gjatë mandatit të tyre’’ deklaron Haliti për FrontOnline.

Rukiqi i LDK-së: Koeficienti i pagës do të jetë 150 €, me VV-në në pushtet janë varfëruar qytetarët

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, për FrontOnline deklaron se aludimi për rritjen e pagave nga Vetëvendosje është puro-politik për fushatë zgjedhore.

‘’ Puro për fushatë elektroale do të ishte rritja e pagave nga Vetëvendosje. VV është dashur shumë më herët të i ngritë pagat, mos me ardhur deri tek varfërimi, deri tek problemet në ekonomi. Çdo veprim i tyre është i vonshëm dhe pa rezultate për qytetarët’’ deklaron Rukiqi.

E sa i përket deklarimit të LDK-së, për prozimin e rritjes së koeficientit për mbi 30% nga 110 euro në 150 euro, Rukiqi për FrontOnline, thotë se ky propozim del nga programi “Rruga e Re” dhe si propozim është bërë pas një vlerësimi në bazë të kostove të kushteve të jetesës dhe pas rritjes së jashtëzakonshme të inflacionit

”Kur është bërë propozimi origjinal, është bërë një vlerësim në bazë të kosotove të kushteve të jetesës dhe tashmë ka një rritje të jashtëzakonshme të inflacionit dhe kjo ka ndiku tek plani ynë. Ne kemi thënë që programi Rruga e Re është program i gjërë që i përshtateve nevojave të qytetarëve. Ende është në diskutim e sipër’’ thekson ai.

Më tej, Rukiqi shton se ky është opsion në dobi të qytetarëve.

‘’Nëse e shohim si po shkon trendi, ikja e fuqisë punëtore etj, kemi paralajmëruar edhe më parë që ne do të i ndryshojmë politikat tona. Ky është opsion në dobi të qytetarëve të vendi’’ shprehet ai për FrontOnline.

Për legjislaturën dhe qeverinë aktuale, Rukiqi thotë se Kosova më jo serioz nuk ka pasur asnjëherë ‘’Kur ata thonë për dikë janë jo serioz, nisen nga vetja, legjislaturë, ekzekutiv më jo serioz se sa ata të VV-së, Kosova nuk ka parë asnjëherë’’ përfundon Rukiqi.

Shala nga PDK: Së shpejti tregojmë se sa do t’i rrisim pagat në Kosovë

Deputeti i PDK-së, njëherit anëtar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Ferat Shala për FrontOnline thotë se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, mund të merr hapa të tillë, por që do të ishte lojë dhe mashtrim i radhës.

‘’Ajo çka është e vërtetë tashmë në vitin e fundit të kësaj qeverisje, Qeveria edhe mund të merr hapa të tillë, por duhet ta kemi të qartë që kjo Qeveri ka diskriminuar në kuptimin financiar, punëtorët e arsimit, të sigurisë, shëndetësisë, zjarrfikësit dhe shumë institucione tjera, ka diskrimunar tej mase kategoritë e dala nga lufta, pensionerët dhe tash në fund të mandatit e ti bie në mend, kjo është lojë dhe mashtrim i radhës’’, potencon ai.

Shala thotë se para kësaj, Qeveria do të duhej ta sillte plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhet.

‘’Ka qenë në diskutim Ligji i Pagave dhe nuk ka si të trajtohet ndryshe përvec se përgaditgje për t’i mashtruar qytetarët.’’ Qeveria do të duhej ta sillte plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhet’’ thekson ai.

Sa i përket paralajmërimit të LDK-së, për rritje të koeficientit për 30% nga sa është ai aktual sot, Shala thotë se nuk dëshiron të merret me partitë opozitare, pasi që sipas tij problemi në vend është partia në pushtet dhe jo opozita

‘’Unë nuk kam as vullnet e as dëshirë të merrem me partitë opozitare, sepse opozita nuk është problemi në vend, por është partia që udhëheq vendin.’’ deklaron tutje.

Ndërkaq, se si e sheh PDK-ja këtë çështje dhe sa do të ishte ideale koeficienti në Kosovë, Shala për FrontOnline, thekson se këtë do ta bëjë të ditur kandidati i tyre për kryeministër, Bedri Hamza dhe se pop resin të shkojnë në zgjedhje.

‘’Ne kemi kandidatin tonë për kryeministër, që do të shpalos planin e tij dhe ne po presim të shkojmë në zgjedhje. Oferta jonë do të prezantohet shpejtë në fushatën zgjedhore’’ përfundon Shala.

Lekaj i AAK-së: Jemi për koeficientin 145 €, nëse VV-ja i rritë pagat, erë e fushatës zgjedhore

Pal Lekaj, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njëherit edhe anëtar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Ferat Shala për FrontOnline deklaron se rritja e pagava nga Qeveria e Kosovës mbanë erë të fushatës zgjedhore dhe jo gadishmëri për t’i polotësuar nevojat e qytetarëve.

‘’Rritja e Koeficientit të Pagave nga Qeveria Kurti mban erë të fushatës zgjedhore, dhe jo gadishmëri për ti plotësuar nevojat dhe kërkesat e punonjësve publik’’ thotë ai.

Lekaj, shton se subjekti i tij politik, AAK ka kohë që ka kërkuar që koeficienti i pagës të jetë 129 euro, pra 19 euro më shumë se sa ai që është tani.

‘’Ne si AAK tani e sa kohë kemi qenë zë i fuqishëm i kërkesave për ngritjen e koeficientit, ku herën e fundit kemi kërkuar që koeficienti të jetë 129 euro për të gjithë sektorin publik, por që Qeveria e ka refuzuar padrejtësisht. Qeveria Kurti, duke nuhatur erën e një fushate dhe procesi zgjedhor tani po flet për rritjen e koeficientit’’ deklaron ai.

Deputeti Lekaj thotë se janë për rritje të koeficientit në 145 euro, pasi që koeficienti aktual është fyerje e integritetit për policët, mjekët, mësimdhënësit, administratën dhe kategoritë tjera.

‘’Kjo është fyerje e integritetit të personelit shëndetësor, policëve, mësimdhënësve, zjarrfikësve, administratës shtetërore e shumë kategorive tjera, sepse që katër vite i la anash dhe tani po mundohet që përmes këtyre veprimeve të marrë votën e tyre, apo në një zhargon ndryshe mund të vlerësohet si manipulim apo tentim për blerje të votës. Ne jemi për rritje të Koeficientit, dhe duke llogaritur punën që bëhet dhe standardet e jetës në Kosovë, vlera 145 euro do të ishte një vlerë reale dhe e duhur e koeficientit’’ thekson ai.

Lekaj thotë për FrontOnline, se në aspektin ekonomik Qeveria ka dështuar sepse në vend mbizotërojnë çmimet e larta dhe rrogat e ulëta.

‘’Në aspektin ekonomik, lirisht mund të flasim për një dështim në Ekonomi të këtij pushteti, ku në Kosovë mbizotërojnë çmimet e larta të të gjitha produkteve dhe rrogat e ulëta, mungesa e investitorëve të jashtëm, mbyllja e shumë bizneseve në vend, rritja e importeve dhe ulja e eksporteve, mos përkrahja e Qeverisë për bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha, mungesa e investime kapitale, bllokimi i punëve në nivel qendrorë e lokal, etj. Prandaj, Ky pushtet duhet të reformohet dhe ndryshohet, sepse vërtet kemi ngërç ekonomik e social në Kosovë’’ përfundon ai.