Opozita e re ka krijuar dy grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët që pranuan mandatin nga listat e PD-së kanë krijuar Grupin Parlamentar Demokrat, që do të drejtohet nga Rudina Hajdari.
Ndërkohë që Partia Demokratike ka deklaruar më herët se nuk mund të përdorin emrin e kësaj force, pasi deputetët që kanë pranuar mandatet janë përjashtuar. Ndërsa deputetët nga listat e LSI-së e kanë quajtur grupin e formuar ‘Të Pavarur’, i cili do të drejtohet nga Nimet Musaj. Deri tani nga listat e PD-së dhe LSI-së kanë pranuar mandatin 23 deputetë, por jo të gjithë kanë pranuar që të bëhen pjesë e grupeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.
Rudina Hajdari ka mbajtur djei fjalën e parë si drejtuese e Grupit Demokrat, duke vendosur edhe objektivat. Hajdari u bëri thirrje partive opozitare që të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa shtoi se opozita e re do të përgatitet për të shpalosur një alternativë të re. Ajo tha se opozita e re nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet e qershorit. Përsa i përket reformës zgjedhore, vajza e Azem Hajdarit u shpreh se kërkesa e grupit që ajo përfaqëson është ulja dhe gjetja e një zgjidhje për ndryshimin e sistemit, me qëllim që përfaqësimi të vijë nga populli.
“Dua të shpreh falenderim për kolegët që flas në emër të tyre pas krijimit të grupit parlamentar demokrat. Këta demokratë janë vërtetë që kanë dhënë kontributin e tyre në zonat e tyre dhe i shikoj si të denjë. Jam e nderuar që i përfaqësoj dhe flas në emër të tyre. Por cilat janë synimet tona gjatë jetës parlamentare në këtë legjislaturë? E para, do të përfaqësojmë të gjithë demokratët që nuk kanë qenë dakord me dorëzimin e mandateve. Ata që ne duam ti përfaqësojmë, përpos denoncimeve të aferave dhe skandaleve të kësaj qeverie, do të shpalosim një alternativë të qartë për një vizion të Shqipërisë së nesërme. Këtu kam parasysh, reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit. në do të paraqesim projektin tonë përsa i përket kësaj platforme dhe do i japim fund partitokracisë. Jemi të hapur për një sistem më të denjë, do të mbështesim reformën në drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë.
Dua të vë theksin se ky grup ka bindjen e fortë, kundër ndryshimeve të vitit 2008. Ne jemi të hapur për një model të deputetëve të zgjedhur nga populli. Kjo është kauza jonë dhe më e rëndësishmja këtë legjislaturë. Ky vendim përfaqëson interesin publik që shkon përtej partive kryesore në vend. Do të kërkoja që demokratët jashtë parlamentit ta shikojnë si ofertë dhe alternativë për t’i përaqësuar denjësisht. Nuk jemi dakord për bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sado e kompromentuar dhe korruptuar që të jetë kjo shumicë, ne nuk duam të bojkotojmë zgjedhjet. Ne do të përpiqemi që opozitarëve të mos u lëmë një vend bosh dhe ftoj cdo parti opozitare ta rikonsiderojnë vendimin, ne nuk mund të luajmë jashtë rregullave të lojës politike. E konsideroj të rëndësishme, që ne të përgatitemi dhe të marrim cdo lloj mase të mundshme edhe duke pasur kohën në dizfavor për të shpalosur një alternativë tonën” tha ajo.