Nga Ivan Zazzaroni*
“Kupa e Botës për Klube është ideja më e keqe që është provuar ndonjëherë në futboll. Vitin e kaluar ishte ‘Copa America’ dhe Kampionati Europian, këtë vit Kupa e Botës për Klube dhe vitin tjetër Botërori i kombëtareve. Kur duhet të pushojnë lojtarët?”
Kështu u shpreh Jurgen Klopp, duke harruar për më tepër Kupën e Afrikës në janar 2026 (një dhuratë tjetër e presidentit të FIFA-s për elektoratin e tij të vjetër dhe të ri), një turne që, i rikthyer në dimër, përfundon duke diskriminuar pikërisht futbollistët afrikanë, duke i bërë ata më pak “të dëshirueshëm” pasi janë të rrezikuar për mungesa dhe dëmtime.
Infantinos, i aftë të ndryshojë gjeografinë e futbollit (Arabia Saudite merr pjesë në ‘Gold Cup’, e rezervuar për vendet e Amerikës së Veriut dhe Qendrore), nuk ia ndjen për kalendarët e stërngarkuar me ndeshje, kampionatet, futbollistët dhe shëndetin e tyre.
Ai do të mbushë me miliona klubet më të pasura, pasi ka regjistruar skuadra që nuk kishin asnjë të drejtë të ishin aty (Inter Miami, fjala vjen, vetëm sepse i duhej Messi), ka ndryshuar rregullat dhe ka shpikur norma “ad hoc” (zgjatje të merkatos, lista të ndryshueshme, kartonë të verdhë të kushtueshëm). Pra, pasi ka bërë gjithçka të tillë, efektet e “Trump’s tournament”, të paguar nga sauditët “Aramco” dhe “PIF”, do të ndihen nga tetori.
Nëse ka një fitues, të paktën në Itali, ky është “Mediaset” (shikueshmëri më e lartë se sa pritej), që edhe në të kaluarën investoi me sukses në Botërorin pa Italinë, duke u bazuar tek uria për futboll e tifozëve, të cilët gjatë verës nuk humbasin as Milan-Cologno Monzese.
* Drejtor i “Corriere dello Sport”
The post Opinion / Botërori për Klube, ja si po shkatërrohet futbolli në emër të parave appeared first on Telesport.