Masa e paraburgimit ndaj 22 të dyshuarve të arrestuar në kuadër të operacionit “Qielli i thyer” është zgjatur edhe për dy muaj. Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila po e heton këtë rast për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së PSRK-së për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër 22 të pandehurve, është marrë aktvendim dhe masa është vazhduar për 2 muaj për secilin, deri më 3 shtator 2025”, tha për “Betimi për Drejtësi” Mirlinda Gashi, udhëheqëse për komunikim me media dhe publikun në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Më 19 qershor i është caktuar masa e paraburgimit edhe një të dyshuari tjetërpër krim të organizuar lidhur me shitblerje të narkotikëve në aksionin e njohur si “Qielli i thyer”.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes së të dyshuarve, ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin 22 të arrestuarve në aksionin “Qielli i thyer” u ishte caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin për trafikim me drogë në rajonin e Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës.
The post Operacioni “Qielli i thyer”, Gjykata zgjat paraburgimin për 22 të arr*estuarit në aksionin antidr*ogë appeared first on Kosovapost.net.