Operacioni i sotëm, Sveçla: Bojan Jevtiq u arrestua për spiunazh për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka konfirmuar edhe njëherë arrestimin e eprorit policor Bojan Jevtic, në operacionin kundër spiunazhit nga Prokuroria Speciale, Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Sveçla ka thënë se Jevtic është arrestuar nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.

“Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka lavdëruar institucionet e sigurisë për këtë aksion.

“Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë here ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lart që shpesh herë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe”, ka shkruar Sveçla.