“Operacioni i fshehtë” para finales së “play off”-it, Bosnja akuzon Italinë për spiunazh në prag të sfidës vendimtare

Në prag të ndeshjes me rëndësi Botërori, një episod i pazakontë ka tronditur kampin e Bosnje Hercegovinës, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi etikën dhe sigurinë në futbollin modern. Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport” dhe “BBC Sport”, stafi teknik boshnjak ka identifikuar një individ të dyshimtë gjatë seancës stërvitore të mbyllur. Personi, i maskuar si pjesëtar i një misioni ushtarak ndërkombëtar, dyshohet se po regjistronte në mënyrë të fshehtë skemat taktike të skuadrës.

Detajet janë tronditëse; ai kishte veshur xhaketë me elementë ushtarakë, por me një simbol që lidhej me FIGC. Një pajisje regjistrimi ishte vendosur në pjesën e përparme të trupit, duke i mundësuar kapjen e çdo lëvizjeje taktike gjatë stërvitjes.

Burime pranë federatës boshnjake bëjnë të ditur se ndërhyrja ka qenë e menjëhershme. Personi në fjalë është larguar nga ambientet, por dëmi potencial mbetet i paqartë. Pyetja që dominon tani është nëse informacioni i mbledhur ka arritur të transmetohet dhe nëse ky ishte veprim i izoluar apo pjesë e një operacioni më të strukturuar.

Në një epokë ku analiza taktike dhe të dhënat janë kthyer në armë vendimtare, incidente të tilla rikthejnë në vëmendje debatet e ngritura shpesh nga mediat mbi kufijtë mes inteligjencës sportive dhe shkeljes së “fair play”-t.

Ndërkohë, përballë kësaj situate, Federata Boshnjake e Futbollit pritet të kërkojë sqarime zyrtare dhe, nëse është e nevojshme, edhe ndërhyrjen e FIFA-s. Një gjë është e sigurt: përtej taktikave dhe formacioneve, kjo sfidë tashmë është ngarkuar me një tension që shkon përtej fushës së blertë.

 

The post  “Operacioni i fshehtë” para finales së “play off”-it, Bosnja akuzon Italinë për spiunazh në prag të sfidës vendimtare appeared first on Telesport.