Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve– Mitrovicë Jug, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë, kanë realizuar dje një kontroll të planifikuar në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në lagjen Koloni në qytetin e Mitrovicës.
Ky kontroll u realizua si pjesë e planit taktik të quajtur ‘Befasia’, në kuadër të luftës kundër krimeve të organizuara dhe trafikimit të substancave narkotike.
Gjatë kontrollit të realizuar në këtë operacion policor, janë sekuestruar:
24 qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokaine, me peshë totale 7.5 gramë;
6 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 68.7 gramë;
4 tableta Ekstazi, me peshë totale 2.2 gramë;
Qese të zbrazëta, që shërbejnë për paketimin e substancave narkotike në sasi të vogla;
1 telefon mobil që dyshohet të jetë përdorur për aktivitetet e paligjshme.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë një ekip i Krimteknikës Rajonale, i cili ka kryer fotografimin, evidentimin, matjen dhe sekuestrimin e të gjitha provave materiale. Hetuesit e DHTN-së, pas realizimit të veprimeve operative, kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, i dyshuari ka një dënim të formës së prerë prej 2 vitesh burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Lidhur me këtë rast, është informuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që i dyshuari pas intervistimit të dërgohet në vuajtje të dënimit.
Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – Mitrovicë Jug.
“Policia e Kosovës mbetet e angazhuar të vazhdojë punën për të zbuluar dhe parandaluar çdo aktivitet kriminal që kërcënon sigurinë dhe rendin publikë, në veçanti aktivitetet e tilla kriminale që rrezikojnë shëndetin e rinisë sonë”, thuhet në deklaratën policore.