Operacion antidrogë në Ferizaj: Sekuestrohen rreth 15 kg heroinë, dy të arrestuar

Rreth 15 kilogramë substancë narkotike të sekuestruara dhe dy persona të arrestuar është bilanci i një operacioni policor në Ferizaj.

Një operacion i përbashkët me Policinë e Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për posedim dhe shitblerje të substancave narkotike.

“Aksioni i realizuar sot në Komunën e Ferizajt, me pjesëmarrjen e prokurorit të rastit, Kryeprokurorit të PSRK-së, si dhe njësive të Policisë së Kosovës, është rezultat i një hetimi të gjatë mbi dyshimet për veprimtari të një grupi të organizuar kriminal”, thuhet në njoftim.

Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar rreth 15 kilogramë substancë të dyshuar të llojit heroinë.

PSRK-ja, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin.