Pas një sezoni të parë pozitiv, por të ndikuar nga dëmtimet, Dani Olmo po përgatitet me entuziazëm për vitin e tij të dytë me fanellën e Barcelonës. Fantazisti, ish-lojtar i Dinamo Zagrebit, po stërvitet me grupin e plotë, një gjë e rrallë për fazën përgatitore, zakonisht e ndikuar nga grumbullimet me kombëtaret.
Në një intervistë për “Sport”, Olmo rikujton sezonin inaugurues me katalanasit dhe shikon përpara, duke pranuar se objektivi i qartë është Liga e Kampionëve, i vetmi trofe që mungon (pas sezonit të kaluar triumfues):
“Champions League mbetet një ëndërr, kjo është e sigurt. Sezonin e kaluar mund të kishim arritur në finale, por na munguan disa detaje të vogla. Tani kemi një tjetër mundësi”.
Për eliminimin e diskutueshëm në Milano, kundër Interit, Olmo nuk kërkon justifikime: “Po të kishim shënuar një gol më shumë, nuk do të flisnim sot për këtë. Ka gjëra që duhen përmirësuar, edhe ajo ndeshje duhet të na shërbejë si mësim”.
Ka vend edhe për disa batuta rreth dhomës së zhveshjes blaugrana. Ndër më të motivuarit për sezonin e ri janë Ferran Torres dhe Eric Garcia, ndërsa Andreas Christensen cilësohet si më i turpshmi. Dhe kur pyetet për “piperin” e skuadrës, Dani nuk ka dyshime: “Më i miri? Koundé. Për atë që gabon më shumë, do t’i lë të tjerët të flasin…”
The post Olmo rikthehet tek eliminimi i hidhur ndaj Interit: Të na shërbejë si mësim, këtë sezon duam Champions-in appeared first on Telesport.