Olise magjeps edhe Gerrard: Nuk ka këmbë të dobët, ah sikur ta kishim te Liverpool!

Nata e “Bernabéut” konfirmoi përfundimisht Michael Olise si një nga talentet më të ndritshme në Europë. Anësori francez ishte ndër protagonistët kryesorë në fitoren e Bayern Munich ndaj Real Madridit, duke mahnitur edhe emra të mëdhenj të futbollit.

Mes tyre, Steven Gerrard, i cili në “TNT Sports” u shpreh: “Kur përballesh me një anësor, zakonisht përpiqesh ta detyrosh drejt këmbës së dobët. Problemi me të është se nuk ka një të tillë, mund të luajë më së miri në të dyja anët. E djathta e tij është po aq e fortë sa e majta”.

Ish-kapiteni i “Reds” shtoi: “A do ta merrja te Liverpool? Sigurisht që po, do më pëlqente. Por, pse duhet të largohet nga Bayerni?”

Me kontratë deri më 2029, Olise është bërë pikë referimi në sulmin bavarez, duke formuar një treshe të frikshme me Harry Kane dhe Luis Díaz. Statistikat e tregojnë qartë ndikimin e tij: 16 gola dhe 25 asistime këtë sezon.

 

The post Olise magjeps edhe Gerrard: Nuk ka këmbë të dobët, ah sikur ta kishim te Liverpool! appeared first on Telesport.