OKB: Izraeli po përdor urinë si armë kundër palestinezëve – një krim kundër njerëzimit

Në një deklaratë të publikuar me shkrim, OKB-ja thekson se Izraeli po pengon në mënyrë sistematike qasjen në ujë të pijshëm dhe ndihma humanitare në Gaza, duke shkaktuar pasoja të rënda, sidomos për fëmijët dhe foshnjat.

“Të shohësh foshnje që vdesin në krahët e nënave të tyre është e padurueshme,” thuhet në deklaratë.

Raportuesit theksojnë se privimi nga uji dhe ushqimi është një “bombë e heshtur por vdekjeprurëse”, dhe paralajmërojnë për përhapjen e sëmundjeve për shkak të ndotjes së ujit dhe mungesës së kushteve bazë higjieno-sanitare.

“Sulmet e qëllimshme, të përhapura dhe sistematike ndaj palestinezëve përbëjnë shkelje të qëllimshme të kushteve të jetesës dhe një akt tjetër gjenocidi,” vijon deklarata.

Ata u bëjnë thirrje vendeve të Mesdheut të dërgojnë urgjentisht karburant, ujë, furnizime dhe personel për të rivendosur shërbimet bazë në Gaza dhe për të përballuar nevojat humanitare urgjente. Po ashtu, i kërkojnë komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime konkrete për t’i dhënë fund kësaj situate çnjerëzore dhe të paligjshme.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar ekzistencën e një krize urie në Gaza, duke deklaruar në rrjetin X: “Nuk ka uri në Gaza, nuk ka politikë urie.”

Por faktet në terren tregojnë të kundërtën.

Rripi i Gazës, nën sulme të vazhdueshme dhe rrethim të ashpër nga Izraeli, përjeton një katastrofë humanitare – me mungesë të theksuar ushqimi, uji, ilaçesh dhe furnizimesh jetike. Sipas të dhënave, të paktën 147 persona, shumica fëmijë, kanë humbur jetën nga uria që nga 7 tetori 2023.

Burime lokale dhe ndërkombëtare theksojnë qartë: Izraeli po përdor urinë dhe etjen si armë lufte kundër popullsisë civile.

The post OKB: Izraeli po përdor urinë si armë kundër palestinezëve – një krim kundër njerëzimit appeared first on Kosovapost.net.