OEK: Zjarri në Comodita, humbje e madhe për ekonominë e Gjakovës dhe të Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar në lidhje me zjarrin që përfshiu një pjesë të fabrikës së Comodita Home në Gjakov.

Në reagimin e OEK-ut thuhet se ky incident përbën një humbje të madhe edhe për ekonominë e Gjakovës dhe të gjithë Kosovës.

“Duke pasur parasysh se Devolli Group është ndër taksapaguesit më të mëdhenj në Kosovë dhe një nga shtyllat kryesore të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ofrojë mbështetje institucionale dhe financiare, në mënyrë që kjo kompani të rikuperohet sa më shpejt dhe të vazhdojë aktivitetin e saj afarist”, tha OEK.

Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se qëndron pranë kompanisë Comodita dhe Devolli Group, duke shprehur mbështetje të plotë në përpjekjet për rikuperim dhe vazhdim të aktivitetit të tyre afarist.

“OEK është e bindur se kjo kompani do ta tejkalojë këtë situatë të vështirë dhe do të vazhdojë të kontribuojë fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në shkrimin e OEK-ut.