Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje që ta zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Supreme për liberalizimin e tregut të energjisë dhe që kjo çështje të kthehet në pikën zero. Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna tha se do të ndërmarrin veprime civile dhe penale, në rast se nuk ndodhë një gjë e tillë.
Gjykata Supreme e Kosovës, dje i ka shfuqizuar dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke thënë se ato kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike në vend.
Gjykata i shpalli të paligjshme dhe i shfuqizoi nenin 8 të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike nga janar 2017, dhe nenin 2 të udhëzuesit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij udhëzuesi.
Në njoftimin e djeshëm, gjykata njoftoi padinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila në qershor urdhëroi bizneset e mëdha të dalin në treg të lirë të energjisë.
Supremja ka vlerësuar se kategorizimi i konsumatorëve në aktet nënligjore nuk është i mbështetur me përkufizime juridike apo ekonomike, gjë që ka krijuar konfuzion në praktikë për shumë biznese.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha para mediave se ZRRE duhet që t’i kthejë në çmimin e rregulluar të gjitha bizneset që janë detyruar të dalin në treg të lirë.![]()
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë është dashur që KEDS-in ta njoftojë dhe t’i kthejë në çmimin e rregulluar të gjitha këto biznese, 1300 biznese që i ka detyruar të dalë në tregun e lirë dhe duhet të ulet ta sigurojë ose ta krijojë bazën e qartë ligjore, po ashtu në bashkëpunim me ne ta caktojë një periudhë të caktuar ose një datë të caktuar të muajit të caktuar, së bashku ta caktojmë me dialog sepse edhe Gjykata Supreme konstaton që ZRRE nuk e ka konsultuar Autoritetin e Konkurrencës, nuk e ka pasur një dialog publiko-privat me sektorin privat dhe për këtë arsye ZRRE duhet të ulet bashkë me sektorin privat dhe së bashku ta caktojmë se kur duhet të dalim në tregun e lirë në mënyrë që ta përmbushim kushtin e sigurisë juridike dhe sigurisë ekonomike”, tha ai.
Tutje, Rafuna ka përsëritur se nuk janë kundër daljes në treg të lirë, por që sipas tij nuk janë bërë përgatitjet e duhura.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë me interpretimin që e ka bërë dhe me veprimet që i ka ndërmarrë i ka shkaktuar dëm të madh sektorit privat, i ka shkaktuar dëm të madh sigurisë së vendit dhe i ka shkaktuar dëm të madh edhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave të ASK-së, një agjencion i cili është në Zyrën e Kryeministrit, ato të dhëna na argumentojnë se inflacioni e ka kaluar 5.1 për qind dhe shtytësi kryesor i kësaj rritje të inflacionit prej 5.1 për qind që nënkupton që i ka varfëruar qytetarët e Republikës të Kosovës, është pikërisht rritja e çmimit të energjisë elektrike. Gjersa në muajin qershor ka qenë 5.4 për qind ndikimi në inflacion i çmimit të energjisë elektrike, në muajin shtator kjo ka arritur në 17.4 për qind”, deklaroi Rafuna.
Avokati Ekrem Hoxha, i cili përfaqësoi Odën Ekonomike në këtë proces tha se aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk mund të ankimohet.
“Ky aktgjykim në vokabularin juridik nënkupton se është aktgjykim i formës së prerë dhe nuk mund të ankimohet tutje. Dispozitivi i aktgjykimit është shprehimor dhe i qartë dhe e urdhëron ZRRE-në që të publikojë vendimin në faqen e saj zyrtare, kjo urdhëresë me nënkuptim dhe lexim të procedurave dhe bazës ligjore të ZRRE-së nënkupton që ZRRE-ja tani e tutje duhet ta njoftojë KESCO-n që baza ligjore për fillimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë ka rënë ndesh me ligjin dhe procedurat e aplikuara dhe ne presim si profesionistë ligjor që ZRRE ta respektojë këtë aktgjykim dhe të fillojë procedurat për korrigjimin e bazës ligjore”, përfundoi ai.
Vendimi i qershorit i rregullatorit të energjisë i detyroi të gjitha bizneset e mëdha në vend – me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të dalin në treg të lirë të energjisë.











