OEK reagon për protestat e transportuesve rajonal: Krijojnë vonesa në eksport dhe import

Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me protestat e transportuesve në shtetet e rajoni.

Sipas këtij institucioni tashmë “po shkaktojnë pasoja serioze për funksionimin normal të bizneseve kosovare dhe për rrjedhën e tregtisë ndërkombëtare”.

“Këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësimin e eksportit dhe importit të mallrave drejt dhe nga vendet e Bashkimit Evropian, duke krijuar vonesa të konsiderueshme, kosto shtesë për kompanitë dhe rrezik real për ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit”, thuhet në reagim.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, njëkohësisht Kryesues i Bordit të WB6 CIF, ka adresuar këtë problem në mënyrë të vazhdueshme në komunikimet me institucionet e Bashkimit Evropian, “duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe sistemike, në interes të funksionimit të lirë të tregtisë dhe ruajtjes së zinxhirëve të furnizimit midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian për ndërhyrje urgjente institucionale që do të mundësonte funksionimin normal të transportit ndërkombëtar rrugor deri në krijimin e një zgjidhjeje të përhershme. Një qasje e tillë është në interes të përbashkët të ekonomive të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor dhe përbën një parakusht për stabilitet ekonomik, integrim tregtar dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal”, thuhet tutje në reagimin e OEK.