OEK organizon takim me përfaqësuesit e bizneseve dhe ZRrE lidhur me njoftimin për treg të hapur të energjisë

Sot u mbajt takimi mes përfaqësuesve të bizneseve dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për të diskutuar njoftimin e fundit mbi hapjen e tregut të energjisë.

Në komunikatën e OEK thuhet se ky takim kishte për qëllim të ofronte qartësi për bizneset mbi ndryshimet në sektorin e energjisë dhe ndikimin e tyre në operacionet e tyre të përditshme.

Gjatë takimit, bëhet e ditur se udhëheqësi i Bordit të ZRrE, Ymer Fejzullahu prezantoi detajet e vendimit dhe hapat që duhet të ndjekin bizneset për t’u përshtatur me rregullat e reja të tregut të hapur të energjisë.

“Ai theksoi rëndësinë e konkurrencës dhe mundësitë që ky sistem i ri sjell për konsumatorët, përfshirë mundësinë për të zgjedhur furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bizneseve shprehën shqetësimet dhe pyetjet e tyre lidhur me ndikimin e këtyre ndryshimeve në koston e energjisë dhe stabilitetin e furnizimit”.

“Ata theksuan nevojën për një tranzicion të qetë dhe të parashikueshëm, duke kërkuar mbështetje dhe sqarime shtesë nga institucionet përgjegjëse. Një prej kërkesave kryesore nga bizneset ishte faza e tranzicionit, përkatësisht shtyerja e vendimit për të hyrë në fuqi minimum 1 vit”.

“Dhe së dyti, në rast se nuk shtyhet vendimi, Institucionet për një periudhe kalimtare ta subvencionojnë biznesin prodhues. Përfundimisht, palët ranë dakord që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt për të siguruar një implementim sa më të lehtë dhe transparent të tregut të hapur të energjisë”, thuhet tutje në njoftim.