Oda Ekonomike e Kosovës përmes një komunikate për media ka thënë se Gjykata Komerciale e ka anuluar në tërësi njoftimin e ZRRE-së për kalimin në tregun e lirë të energjisë, transmeton KosovaPost.
“Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se ky është një vendim i rëndësishëm, që njëherësh konfirmon shqetësimet e ngritura në vazhdimësi nga komuniteti i biznesit dhe nga vetë Oda, lidhur me mënyrën e njëanshme dhe jo transparente të zbatimit të këtij procesi. Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRRE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike”, thekson OEK.
Tutje Oda Ekonomike thotë se ZRRE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës dhe sipas saj, moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale.
“Që nga fillimi, Oda Ekonomike e Kosovës ka qenë zëri institucional që ka qëndruar në mbrojtje të interesit të bizneseve, duke kundërshtuar vendime të njëanshme që rëndojnë prodhimin dhe ekonominë vendore në tërësi. Përmes veprimeve ligjore, kërkesave zyrtare dhe adresimit të vazhdueshëm publik, Oda ka qëndruar krah biznesit dhe do të vazhdojë të luftojë çdo vendim që cenon të drejtën e barabartë dhe trajtimin e drejtë të komunitetit ekonomik në vend”, thuhet tutje në komunikatë.
Oda Ekonomike e Kosovës ka ftuar institucionet përgjegjëse që të marrin seriozisht vërejtjet e shprehura nga komuniteti i biznesit dhe të angazhohen në politika gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që përkrahin zhvillimin ekonomik të vendit.
The post OEK mirëpret vendimin e Komerciales për anulimin e njoftimit të ZRRE-së appeared first on Kosovapost.net.