OEK i dërgon letër Kallasit, kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, në cilësinë e tij edhe si Kryetar i Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6CIF), i ka dërguar letër Kryediplomates së BE’së, Kaja Kallas, duke shprehur shqetësimin për masat kufizuese.

Në letrën e tij, Rafuna ka thënë se këto masa pengojnë qasjen e institucioneve dhe bizneseve kosovare në instrumentet e BE-së për zhvillim ekonomik, duke pezulluar mbi 600 milionë euro projekte në fushat e mbrojtjes së mjedisit, energjisë, dixhitalizimit dhe infrastrukturës lokale.

“Oda Ekonomike e Kosovës kërkon heqjen e këtyre masave për të mundësuar qasje të barabartë në instrumentet rajonale dhe për të garantuar që sektori privat i Kosovës të kontribuojë në të ardhmen evropiane të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Odës. /Reporteri.net