OEK dhe DhTIK reagojnë pas aktvendimit të shkallës së dytë të Komerciales

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) kanë reaguar ndaj vendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila ka ndryshuar masën e sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 275/24, të datës 05.04.2024, si dhe njoftimit të datës 12.03.2025 të nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke i hapur rrugë liberalizimit të mëtejmë të tregut të energjisë, transmetin KosovaPost.

OEK ka theksuar se, duke qenë institucion publik, nuk e komenton vendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, por njofton se do të vazhdojë betejën ligjore nëpërmjet mjeteve të tjera ligjore në dispozicion, brenda afateve të përcaktuara, dhe për këtë do të njoftojë me kohë të gjithë anëtarët e Odës Ekonomike të Kosovës.

“Përkundër këtij vendimi, OEK kërkon nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të mos marrë veprime të tjera që do t’i dëmtonin bizneset, të cilat tashmë janë dëmtuar nga vendimet e ZRrE-së që kanë shkuar në dëm të ekonomisë së vendit dhe kanë ndikuar në shtrenjtimin e jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në ditët në vijim, ne do të konsultohemi me bizneset dhe do të shqyrtojmë hapat e tjerë që do të ndërmerren”, thuhet në komunikatën e OEK.

E shqetësimin e thellë për aktvendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale e ka shprehur edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, e me të cilin vendim i jepet dritë e gjelbër vazhdimit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, pavarësisht se, sipas DhTIK, procesi ka një mori shkeljesh ligjore dhe procedurale.

“DhTIK vlerëson se gjykata ka pasur mjaftueshëm prova dhe argumente të qarta për shkeljet e bëra, të cilat janë prezantuar në mënyrë të përsëritur në çdo takim me institucionet, por fatkeqësisht nuk janë marrë për bazë. Ne ritheksojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE, e përkrahur në heshtje nga të gjitha institucionet relevante, do të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit”, thuhet në reagimin e DhTIK.

Dhoma e Tregtisë u bën thirrje edhe njëherë ZRRE-së dhe Qeverisë së Kosovës që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent, duke respektuar konsultimet publike dhe përfshirjen e komunitetit të biznesit, siç kërkohet nga ligji.

“Gjithashtu institucionet të ndajnë mjete shtesë në përkrahje të bizneseve në mënyrë që të mos ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe të ardhmen e vendit tonë. Po ashtu, DhTIK u bën thirrje të gjitha bizneseve që të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim të dëmshëm”, thuhet në reagim.

The post OEK dhe DhTIK reagojnë pas aktvendimit të shkallës së dytë të Komerciales appeared first on Kosovapost.net.