Pas humbjes në shtëpi 0:1 nga Paris Saint-Germaini në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Arsenali ka nevojë për një lojë jetësore në ndeshjen e kthimit.
Martin Odegaard beson se “Gunners” mund t’ia dalin mbanë për ta përmbysur rezultatin në “Parkun e Princave” dhe kështu për ta prekur finalen e madhe të Championsit, shkruan “Gazeta Express”.
Mesfushori norvegjez është i dëshpëruar me rezultatin e regjistruar në “Emirates Stadium”, por dukej i vendosur pas lojës.
“Do të provojmë. Jemi të bindur se mund ta ndryshojmë situatën”, deklaroi ish-futbollisti i Real Madridit, i cili e dha një mesazh të qartë para ndeshjes që do të luhet në kryeqytetin francez të mërkurën e ardhshme, e cila do ta zbulojë emrin e finalistit.
Arsenali ishte në pozitë tjetër në çerekfinale pasi e kishte mposhtur Real Madridin 3:0 në shtëpi dhe më pas rezistoi në “ferrin e premtuar” në Bernabeu duke fituar edhe atje 2:1.
E tash, situata është ndryshe, me PSG-në që do ta nisë lojën me një avantazh minimal dhe me publikun e shtëpisë që do ta mbështesë pa masë. /Gazeta Express