Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me vendimet e Qeverisë në detyrë për miratimin e Projektligjit për Buxhetin 2026 dhe rritjen e pagës minimale nga 350 në 500 euro.
Sipas Odës, vendimet me ndikim afatgjatë fiskal duhet të merren vetëm nga një qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik.
Oda thekson se megjithëse përmirësimi i kushteve të punës mbetet i rëndësishëm, çdo vendim duhet të bazohet në analiza të kujdesshme të tregut të punës dhe kapaciteteve të sektorit privat, në mënyrë që të ruhet balanca mes mirëqenies së punonjësve dhe konkurrueshmërisë së bizneseve.
Sipas Odës Amerikane, miratimi i politikave të reja të shpenzimeve publike nga një qeveri në detyrë mund të rrezikojë stabilitetin makroekonomik, të rrisë ngarkesën buxhetore dhe të kufizojë hapësirën për investime kapitale. Institucioni apelon për respektim të plotë të ligjit dhe përmbajtje institucionale, duke siguruar se vendimet e Qeverisë në detyrë nuk cenojnë legjitimitetin demokratik dhe stabilitetin institucional.
Oda Amerikane përfundon duke theksuar se qeverisja e mirë dhe stabiliteti institucional janë parakusht për një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme në Kosovë./teve1.info/










