Komiteti i Situatave Emergjente të Organizatës Botërore të Shëndetësisë u shpreh kundër ndaj vendosjes së certifikatave të vaksinimit kundër COVID-19 si kusht për të mundësuar hyrjen në një vend për udhëtarët ndërkombëtarë.
“Ka akoma shumë të panjohura themelore për sa i përket efektivitetit të vaksinave për të reduktuar transmetimin (e virusit) dhe vaksinat janë akoma të disponueshme vetëm në sasi të kufizuara”, nënvizoi komiteti në rekomandimet e tij, duke shtuar se vaksinimi nuk duhet të përjashtohet nga masat e tjera parandaluese shëndetësore.
Drejtori i programit të Situatave Emergjente të OBSH-së, Mike Ryan theksoi se Komiteti nuk rekomandon kushtin që personat që udhëtojnë të posedojnë dokumentin që dëshmon se janë të vaksinuar.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus zhvilloi një konferencë për media nëpërmjet video-konferencës në qendrën e organizatës në Gjenevë.
Ai bëri thirrje për solidarizim global për vaksinat e COVID-19.
“Punonjësit e shëndetësisë janë të lodhur dhe sistemet shëndetësore janë të tensionuara. Shohim se edhe në disa vende burimet e oksigjenit janë zvogëluar në shkallë të rrezikshme”, shtoi Ghebreyesus.
“Punonjësit e shëndetësisë dhe personat me rrezik të lartë duhet të kenë përparësi në vaksinime”, nënvizoi ai.