Fëmijët e vegjël të pavaksinuar janë kontigjenti më i rrezikuar për t’u prekur nga fruthi, sëmundje tepër infektive që mund të rezultojë fatale.
Europa u përball me një rritje masive të rasteve të të prekurve nga fruthi gjatë vitit 2017, që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përkufizon si një tragjedi pas nivelit të ulët të të prekurve prej 5273 personash një vit më herët.
Numri i të prekurve është rritur me 400 për qind, me më shumë se 20 mijë njerëz të infektuar dhe me 35 raste vdekjesh.
Pesëmbëdhjetë vende europiane, përfshirë Britaninë e Madhe, kanë përjetuar shpërthime të mëdha të sëmundjes. Rastet e fruthit kanë qenë më të larta në Rumani, Itali dhe Ukrainë.
Edhe pse një studim i publikuar në vitin 2004, hodhi poshtë lidhjen e mundshme midis vaksinës MMR dhe autizmit, frika që u përhap prej lajmeve për ndikimin e vaksinës ka dëmtuar besimin e publikut tek vaksinimi.
Fruthi është një sëmundje virale tepër infektive që mund të rezultojë edhe vdekjeprurëse. Vaksina MMR mund ta parandalojë sëmundjen.
OBSH thotë se ka pasur rënie të përgjithshme në rutinën e vaksinimit, sikundër edhe nuk është mbushur ende boshllëku në vaksinimin e grupeve të margjinalizuara. Po sipas OBSH-së, në disa vende mungojnë vaksinat sikundër edhe sistemet e mbikqyrjes për përhapjen e vatrave të sëmundjes.
Doktoresha Zsuzsanna Jakab, nga OBSH thotë: “Secili rast i ri i prekur nga fruthi në Europë na kujton se fëmijët dhe të rriturit e pavaksinuar, pavarësisht se ku jetojnë, mbeten në rrezik të marrin sëmundjen dhe ta përhapin atë tek të tjerët që mund të mos jenë në gjendje të vaksinohen”.
“Ky kthim pas në të kaluarën nuk mund të na pengojë në angazhimin tonë për të qenë brezi që do çlirojë fëmijët tanë nga kjo sëmundje njëherë e përgjithmonë”.
Në Britaninë e Madhe janë regjistruar 282 raste në vitin 2017, që lidhen me shpërthimin e vatrave në Europë. Këto raste janë shënuar pavarësisht se së fundmi, vendi ishte shpallur i lirë nga fruthi pasi numri i të prekurve ishte aq i vogël sa nuk mjaftonte për të qarkulluar sëmundjen në vend.
Fëmijët e pavaksinuar mund të imunizohen ndaj sëmundjes në çdo moshë, nëse nuk e kanë kryer atë në foshnjëri. Simptomat e fruthit përfshijnë rrjedhje të hundëve, tështima dhe kollë, sy dhe fyt të acaruar, temperaturë të lartë dhe pas disa ditësh nga infektimi, edhe puçrra të kuqe në lëkurë.
Sipas një raportimi të fundit të zv.ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli në Shqipëri rezultojnë plot 132 raste me fruth. Ajo ka thënë se Instituti i Shëndetit Publik ka gati 10 mijë doza fruthi për njerëzit.
Greqia e Maqedonia po përballen me një situatë me të rëndë të fruthit.
Deri tani, fruthi u ka marrë jetën dy foshnjave./tesheshi.com/