OBSH-ja i jep fund alarmit për linë e majmunëve: Nuk përbën më emergjencë

Lija e majmunëve (Mpox ) nuk është më një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar, thotë drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke shënuar fundin e alarmit për sëmundjen.

“Ky vendim bazohet në rënie të vazhdueshme të rasteve, si në Republikën Demokratike të Kongos dhe vende të tjera të prekura, si Burundi, Sierra Leone dhe Uganda”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Sëmundja Mpox është një infeksion i rrallë viral, i cili transmetohet kryesisht nga kafshët e egra që gjenden në zonat e Afrikës Perëndimore dhe Qendrore.

Transmetohet nëpërmjet një kafshimi ose gërvishtjeje nga një kafshë e infektuar (kryesisht një brejtës) dhe, më rrallë, nëpërmjet konsumimit të mishit të pagatuar mirë ose nëpërmjet kontaktit me lëkurën ose gëzofin e një kafshe të infektuar.

Transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh nëpërmjet kontaktit me lezionet e lëkurës/lëngjet trupore të të prekurit, veçanërisht nëpërmjet kontaktit seksual dhe/ose objekteve të kontaminuara, si dhe nëpërmjet pikave të frymëmarrjes pas kontaktit të ngushtë të zgjatur. Periudha e inkubacionit të sëmundjes është 6 deri në 13 ditë me një interval prej 5 deri në 21 ditë.